KATEGORIA E DYTË | KF BUTRINTI – PARTIZANI B 4:2
Stadiumi “Andon Lapa” në Sarandë priti sfidën e javës së 21-të të Kategorisë së Dytë mes Butrintit dhe Partizanit B, një takim që u zhvillua pa praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit. Një atmosferë e zbehtë për një ndeshje me rëndësi të veçantë për objektivat e të dy skuadrave në këtë fazë të sezonit.
Vendasit kërkonin fitoren për të mbajtur kreun dhe për të siguruar një hap të rëndësishëm drejt Kategorisë së Parë, ndërsa për Partizanin B tashmë gjithçka ishte e fokusuar te faza “play-off”.
Para ndeshjes, skuadra e kuqe u ndal në fan clubin e njohur të Partizanit në Sarandë, ku u prit me shumë mikpritje nga tifozi dhe pronari i lokalit Ilir Bajrami, duke kaluar disa momente mes atmosferës dhe kujtimeve të veçanta.
Në fushë, trajneri Ergys Luqe kishte bërë disa ndryshime në formacion, ku spikaste debutimi si titullar në qendër të mbrojtjes i 17-vjeçarit Jon Çaushi.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan shpejt në avantazh me Bashën në minutën e 16-të. Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Lala dyfishoi shifrat për Butrintin.
Në pjesën e dytë, vendasit vijuan dominimin dhe sërish Basha realizoi për 3:0. Partizani B reagoi në minutën e 63-të, kur 22-vjeçari Rabjon Goga, golashënuesi i kompeticionit, shënoi nga pika e bardhë.
Në minutën e 81-të, Goga realizoi sërish nga penalltia, duke shënuar golin e tij të 11-të sezonal dhe duke mbajtur të hapur ndeshjen.
Megjithatë, në fundin e takimit, Diop vulosi fitoren për vendasit.
Takimi u mbyll 4:2 për vendasit , ndërsa Partizani B tashmë kthen vëmendjen te ndeshja e fundit e fazës, përpara se të mësojë kundërshtarin në fazën “play-off”.



















