KATEGORIA E DYTË | JAVA 15 | PARTIZANI B – KF MALIQI 1:2

KATEGORIA E DYTË | JAVA 15

PARTIZANI B – KF MALIQI 1:2

Partizani B ka bërë një hap fals në ndeshjen e javës së 15, duke u mposhtur me rezultatin 1-2 ndaj Maliqit, në një takim që u shoqërua me kontestime për penallti të pa dhëna dhe dhe shumë episode përgjatë 90 minutave .

 

Skuadra kuqe vinte pas dy fitoreve radhazi ndaj Tomorit dhe Devollit, dhe fitorja ndaj Maliqit ishte një mundësi për t’u afruar më tej me kreun e renditjes. Por gjithçka filloi keq që në minutën e 5, kur pas një goditjeje këndi, Bregu shfrytëzoi konfuzionin në mbrojtjen e Partizanit dhe shënoi golin e avantazhit për miqtë.

 

 

Partizani B u mundua të reagojë menjëherë, por Maliqi tregoi motivim maksimal. Minuta e 26 solli shumë protesta, kur Herdi Balla depërtoi në zonë dhe u ndal nga një mbrojtës në mënyrë të parregullt , ndërsa gjyqtari Kejsi Talili konsideroi situatën të rregullt madje e ndërpreu për simulim . Rasti më i mirë për barazim erdhi në minutën e 34, nga një goditje dënimi, kur devijimi i Topallit përfundoi në duart e portierit Ganez Boaki.

 

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të mysafirëve.

 

Fraksioni i dytë nisi me ndryshime në formacion, me hyrjen e Mando, Petritaj dhe Gogës, duke kërkuar më shumë kreativitet dhe intensitet.

 

Megjithatë, një gabim në qendër të zonës u shfrytëzua nga Elmas i Maliqit për të dyfishuar avantazhin në 0-2.

 

Partizani hodhi të gjitha forcat në sulm dhe arriti të ngushtojë rezultatin me golin e Rabjon Gogës, i cili shënoi golin e 8 në këtë sezon dhe vazhdon të udhëheqë listën e shënuesve të skuadrës duke treguar një formë fanatstike .

 

Në minutën e 66 një tjetër moment qe u shoqërua me protesta të forta nga pankina e kuqe , kur Pero ndërhyri me taka drejt gjoksit të një lojtari të Partizanit, ndërsa gjyqtarja Tafili e konsideroi situatën të rregullt.

 

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, skuadra kuqe nuk arriti të marrë pikë, dhe ndeshja u mbyll me fitoren e mysafirëve.

 

 

Pas javës së 15, Partizani B renditet në vendin e 4 me 27 pikë. Sfida e ardhshme do të zhvillohet në transfertë ndaj Delvinës.