KATEGORIA E DYTË – GRUPI B
JAVA 13
PARTIZANI B – TOMORI 1:0Partizani B ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Tomorit, në një ndeshje të luftuar fort dhe të vendosur vetëm në minutat e fundit në Arenën e Demave.

Pjesa e parë u karakterizua nga një betejë e fortë në mesin e fushës. Skuadra e drejtuar nga Ergys Luga u paraqit me një formacion ndryshe nga ndeshja e fundit, duke pasur që nga minuta e parë edhe disa elementë të ekipit të parë si Carlos Martinez, Besar Guxhufi dhe Tedi Malaj.
Të kuqtë e nisën takimin me grintë dhe dëshirë për të shënuar një gol të shpejtë. Rastet nuk munguan, ku Jatta dhe Carlos Martinez u shfaqën disa herë rrezikshëm përpara portës mike. Nga ana tjetër, Tomori reagoi me një tentativë nga distanca të Xhoel Vrapit.
Megjithë presionin konstant të Partizanit B, që regjistroi plot 9 goditje nga këndi, mbrojtja mike u tregua e organizuar maksimalisht dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.
Fraksioni i dytë nisi me të njëjtat formacione, por me një Partizan edhe më kërkues në fazën ofensive. Trajneri Luga tentoi të sillte freski në sulm, duke aktivizuar në minutën e 58 Rabjon Gogën në vend të Guxhufit. Tre minuta më pas, Babucarr Jatta u detyrua të linte fushën për shkak dëmtimi, me Xheis Rushitin që mori vendin e tij.
Loja ndryshoi ndjeshëm pas minutës së 71, moment kur në fushë u hodhën Mohanad Mando, Marselo Gjuzi dhe afrimi i ri i merkatos, Envi Boçka, duke i dhënë më shumë kreativitet dhe ngjyra manovrës sulmuese të të kuqve.
Këmbëngulja u shpërblye në minutën e 85. Pas një aksioni nga krahu i djathtë, Envi Boçka shërbeu saktë në zonë dhe Rabjon Goga e dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën në tribuna. Sulmuesi përsëriti kështu golin vendimtar, ashtu si në ndeshjen e fituar më parë në Berat.
Pas golit, Partizani B administroi qetësisht avantazhin, duke ruajtur rezultatin dhe duke siguruar tre pikë mjaft të rëndësishme. Fitorja u shoqërua edhe me lajmin pozitiv nga Oriku, ku vendasit u ndalën në barazim ndaj Eagle FA.
Me këtë sukses, Partizani B ngjitet në vendin e tretë të renditjes me 24 pikë, vetëm 3 pikë më pak se Oriku i vendit të parë .



















