Fundjavë perfekte për të rinjtë : Akademia Partizani shkëlqen

Akademia Partizani ka regjistruar një nga fundjavat më pozitive të sezonit, si në rezultate ashtu edhe në paraqitje, duke koleksionuar plot 6 fitore në 7 ndeshje.

Seria e sukseseve nisi me grupmoshat më të vogla. U13 triumfoi në transfertën e Fierit me rezultatin 0-2, falë golave të Kasamajt dhe Kolecit. Ndërkohë, në një tjetër transfertë të vështirë në Kurbin, U14 mposhti Laçin minimalisht 1-2, me Islamajn dhe Duriçin që firmosën fitoren e radhës për të kuqtë.

Rezultatet pozitive vijuan edhe në “Arenën e Demave”, aty ku u regjistruan katër fitore të rëndësishme. U18 dominoi përballë Teutës me shifrat 6-1, në një ndeshje ku Musa Lleshaj, Ergit Hyka dhe Rei Zekaj realizuan nga dy gola secili, duke mbajtur gjallë objektivin për titull.

Të dielën, dy supersfidat e transmetuara në Partizani Channel dhuruan emocione të forta. U17 shkëlqeu në derbi ndaj Tiranës, ndërsa U19 siguroi një fitore të rëndësishme përballë Bylisit. Kjo ecuri pozitive u vulos të hënën nga U15, që dhuroi spektakël ndaj Apolonia 2016 me rezultatin e thellë 7-0. Dopietat e Shkurtit, Avdylajt dhe Alibeajt u plotësuan nga goli i Sijonit.

I vetmi rezultat negativ i fundjavës ishte ai i U16, që u mposht 2-0 në transfertën e Durrësit ndaj Teutës.

 

Në aspektin individual, spikatën disa paraqitje të rëndësishme: Duriçi (U14) vendimtar me gol, Elson Himallari (U17) protagonist në derbi, Musa Lleshaj me dopietë në rikthimin e tij në fushë dhe Neid Banushi (U19), që fitoi një 11-metërsh në pak minuta lojë.

 

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi, Akademia Partizani vijon të jetë në garë për trofe me tre skuadra, duke konfirmuar një sezon të suksesshëm në të gjitha grupmoshat.