SUPERIORE U19 | PLAYOFF | JAVA 22
Skënderbeu – Partizani 1:2
Fitore me peshë titulli për Partizanin U19 në Korçë
Pas pushimit të javës së 21-të, Partizani U19 u rikthye në fushë me një fitore shumë të rëndësishme në transfertën e vështirë të Korçës, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 1:2.
Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti vinte në këtë përballje me objektiv të qartë: rikthimin te fitorja dhe rimarrjen e vendit të parë, pas hapit fals të Laçit. Nga ana tjetër, Skënderbeu dukej i dorëzuar në garën për titull.
Gjithçka u vendos në pjesën e parë, ku të kuqtë e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte. Në minutën e 8-të, Abdu Sarjo, sulmuesi nga Gambia, zhbllokoi rezultatin, duke realizuar golin e tij të shtatë personal në këtë sezon.
Partizani vazhdoi të kontrollojë lojën dhe 5 minuta përpara fundit të pjesës së parë ishte Neid Banushi që dyfishoi shifrat, duke vulosur avantazhin 0:2 përpara pushimit.
Në pjesën e dytë, vendasit reaguan dhe në minutën e 54-t arritën të ngushtonin diferencën me golin e Ndiaye, duke rihapur sfidën në 1:2.
Megjithatë, pavarësisht presionit të Skënderbeut në minutat e mbetura, Partizani U19 u tregua i organizuar dhe i vendosur në fushë, duke ruajtur avantazhin dhe siguruar 3 pikë shumë të rëndësishme.
Me këtë fitore, skuadra e Fatjon Muhametit rimerr kryesimin e vetëm me 28 pikë, e ndjekur nga Laçi në vendin e dytë me 27 pikë.
Tashmë vëmendja zhvendoset te sfida direkte ndaj Laçit më 4 prill, një ndeshje vendimtare për fatin e titullit, ndërsa kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund të kampionatit.



















