AKADEMIA PARTIZANI | REZULTATET E JAVËS

Akademia Partizani u angazhua pjesërisht këtë fundjavë, teksa katër nga shtatë skuadrat e kuqe zbritën në fushë. Ekipet U13, U14, U16 dhe U17 zhvilluan takimet e tyre respektive, me bilancin e përgjithshëm prej tri fitoresh dhe një humbjeje.

Në fokus ishte suksesi i skuadrës U17. Pas dy humbjeve në javët e para të kampionatit, të kuqtë u rikthyen te fitorja pikërisht në derbin ndaj Dinamo City. Partizani zhvilloi një paraqitje bindëse dhe triumfoi 3-0, duke marrë pikët e para dhe njëkohësisht një rezultat të rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit.

 

Fundjavë pozitive edhe për dy grupmoshat më të vogla. U13 dhe U14 u përballën me bashkëmoshatarët e Shënkollit dhe regjistruan rezultate identike, duke fituar të dyja sfidat me shifrat 3-1.

Për U13, golat e fitores mbajtën firmat e Elezit, Shehut dhe Bastarit. Ndërkohë, protagonist absolut për skuadrën U14 të drejtuar nga Ambër Ursi ishte Dunga, i cili realizoi të tre golat e Partizanit, duke kompletuar tripletën personale.

Rezultat negativ për U16 të drejtuar nga Altin Birçe, që u mposht 2-0 në duelin ndaj Elite Youth. Megjithatë, edhe kjo sfidë solli një element pozitiv për Akademinë e kuqe. Sulmuesi i Partizanit, Brajan Hykollari, i cili është pjesë e projektit Elite Youth të Federatës Shqiptare të Futbollit, realizoi golin e parë të takimit dhe njëkohësisht të dytin personal në këtë eksperiencë.

 

Takimet e radhës

 

Në javën e ardhshme aktiviteti i Akademisë Partizani do të jetë më i plotë, me pesë skuadra që do të zbresin në fushë:

U18: Apolonia – Partizani

U17: Elite Youth – Partizani

U16: Partizani – Shënkolli

U15: Shkodra – Partizani

Një tjetër javë intensive për Akademinë e kuqe, me objektivin për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve dhe paraqitjeve pozitive në kampionatet e moshave.