AKADEMIA PARTIZANI, FUNDJAVË ME REZULTATE TË NDRYSHME

AKADEMIA PARTIZANI, FUNDJAVË ME REZULTATE TË NDRYSHMEAKADEMIA PARTIZANI, FUNDJAVË ME REZULTATE TË NDRYSHME

Akademia Partizani ka qenë plotësisht e angazhuar këtë fundjavë, me skuadrat e moshave që zhvilluan ndeshjet e radhës, në një javë të karakterizuar kryesisht nga duelet me Teutën dhe KF Shkodrën.

Skuadra U17 e Bektash Çapokut u mposht minimalisht 1–0 nga Teuta, me një gol të ardhur nga pika e penalltisë. Pavarësisht rezultatit, paraqitja e të kuqve ishte premtuese, me skuadrën që po tregon gradualisht shenja rritjeje në lojë.

Ndryshe përfundoi sfida e U16. Skuadrës së Altin Birçes i mjaftoi goli i Latës në minutën e 31-të për të mposhtur 1–0 Teutën dhe për të siguruar tri pikët e para të sezonit.

 

Fitore të rëndësishme regjistroi edhe U15 e Uliks Tiranës. Përballë rivalëve bregdetarë, protagonist u bë debutuesi Aleks Meta, i cili në minutën e 45-të realizoi golin e vetëm të takimit. Pas tri javësh, 15-vjeçarët e Partizanit kanë grumbulluar 6 pikë.

 

Ndërkohë, në fushën Shtoj në Shkodër, u zhvilluan dy takimet e skuadrave U13 dhe U14.

 

Të parët në fushë zbritën 14-vjeçarët e Amber Ursit, në një përballje dramatike që u vendos vetëm në minutën e fundit. Vendasit fituan 3–2, ndërsa Koleci dhe Dunga ishin autorët e golave për Partizanin.

 

Menjëherë pas përfundimit të kësaj sfide, radha ishte e U13 të Bektash Çapokut. Të kuqtë siguruan tri pikët me fitoren minimale 0–1, falë Luis Rrugës, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje nga këndi.

Në panoramën e plotë të javës përfshihen edhe skuadrat më të mëdha të Akademisë. U18 e Algert Hurdhës vijoi ecurinë perfekte duke mposhtur 2–1 Teutën, ndërsa U19 e Fatjon Muhametit barazoi 2–2 ndaj durrsakëve.

 

Në total, nga U13 deri te U19, Akademia Partizani e mbylli javën me 7 ndeshje, 4 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 9–7.

 

Në planin individual nuk munguan protagonistët. Noel Dalipi vijoi serinë e golave me U18, ndërsa Alfonso Marinaj u bë heroi i fitores ndaj Teutës me golin në frymën e fundit. Ergit Hyka gjeti përsëri rrjetën me U19, ndërsa Lata, Aleks Meta dhe Luis Rruga realizuan gola që u dhanë skuadrave të tyre nga tri pikë.

Por skuadra që spikat në këtë fillim kampionati është Partizani U18. Të besuarit e Algert Hurdhës kanë bërë një nisje perfekte: tri ndeshje dhe tri fitore, e fundit e arritur me karakter ndaj Teutës, pavarësisht inferioritetit numerik.

Një javë intensive për Akademinë Partizani, me katër fitore në shtatë takime, në një fundjavë ku përveç rezultateve, spikatën golat, debutuesit dhe karakteri i skuadrave të kuqe.