- Skuadrat e Akademisë Partizani rikthehen në fushë për një tjetër fundjavë të ngjeshur në kampionat. U19 kërkon të vazhdojë momentin pozitiv pas suksesit në Maltë, ndërsa U13 dhe U14 nisin zyrtarisht sezonin 2026/27.

Akademia Partizani do të jetë e angazhuar në disa fronte këtë fundjavë, me skuadrat nga U19 deri te U13 që zbresin në fushë për ndeshjet e radhës në kampionatet respektive.

U19 – Të kuqtë duan të ruajnë ritmin
Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti vjen në këtë javë me moral të lartë. Pas fitores 4-2 ndaj Vllaznisë në kampionat, të kuqtë regjistruan edhe një sukses të rëndësishëm në arenën europiane, duke mposhtur 2-0 Vallettën në Maltë në debutimin e tyre në UEFA Youth League.
Tashmë vëmendja rikthehet te kampionati. Partizani U19 pret Teutën të shtunën, në orën 12:00, në QKS Kamëz, me objektivin për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.
U18 – Hurdha kërkon vazhdimësinë
Edhe Partizani U18 synon të vijojë ecurinë pozitive. Skuadra e Algert Hurdhës vjen pas suksesit 2-0 në transfertë ndaj Dinamo City dhe në javën e tretë do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv.
Të kuqtë presin Teutën në QKS Kamëz, në orën 14:00.
U17 – Në kërkim të tri pikëve të para
Për U17, objektivi është i qartë: fitorja e parë e sezonit. Skuadra e Bektash Çapokut udhëton drejt Durrësit, ku do të përballet me Teutën në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, në orën 10:00.
Pas humbjes në javën e parë ndaj Tiranës, të kuqtë kërkojnë reagimin dhe tri pikët e para në kampionat.
U16 – Birçe synon fitoren në Durrës
Edhe U16 do të ketë përballë Teutën. Skuadra e drejtuar nga Altin Birçe kërkon të reagojë pas ndeshjes së parë të sezonit dhe të sigurojë rezultatin e parë pozitiv.
Sfida Teuta–Partizani luhet në orën 12:00 në aneksin “Niko Dovana”.
U15 – Përballje e rëndësishme me Uliks Tiranën

Partizani U15 ka përpara një tjetër takim të rëndësishëm në kampionat. Të kuqtë e Uliks Tiranë do të përballen me Teuten , në një sfidë ku objektivi mbetet marrja e pikëve dhe vazhdimi i punës për rritjen e skuadrës.
U13 dhe U14 – Nis aventura e re
Fundjava shënon gjithashtu startin zyrtar të kampionatit për dy grupmoshat më të reja të Akademisë.
Partizani U13, i drejtuar nga Bektash Çapoku, dhe U14, nën drejtimin e Ambër Ursit, nisin sezonin 2026/27 me përballjet ndaj KF Shkodrës.
U14 zbret në fushë të dielën në orën 10:00, ndërsa U13 luan në 11:00. Të dyja skuadrat do të kërkojnë ta nisin në mënyrën më të mirë një sezon të ri, ku krahas rezultateve, objektivi kryesor mbetet zhvillimi dhe evidentimi i talenteve të Akademisë Partizani.
Një tjetër fundjavë e mbushur me futboll për Akademinë Partizani, me të njëjtin objektiv në çdo grupmoshë: rritje, vazhdimësi dhe përfaqësim dinjitoz i fanellës së kuqe.

Një tjetër fundjavë e mbushur me futboll për Akademinë Partizani, me të njëjtin objektiv në çdo grupmoshë: rritje, vazhdimësi dhe përfaqësim dinjitoz i fanellës së kuqe.

















