AKADEMIA PARTIZANI, DOMINIM ABSOLUT NË FUTBOLLIN E MOSHAVE – SEZONI 2025-2026
Një sezon kampionësh, rekordesh dhe perspektive për të ardhmen
Akademia Partizani mbylli sezonin 2025-2026 si një nga historitë më të suksesshme të futbollit të moshave në Shqipëri, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga qendrat më të rëndësishme të zhvillimit të talenteve në vend.

Me një skuadër kampione dhe fituese të Kupës së Shqipërisë, tre skuadra nënkampione, qindra gola të realizuar dhe një numër në rritje lojtarësh të promovuar drejt ekipit të parë, ky sezon përfaqëson një tjetër dëshmi të punës së përditshme që zhvillohet në Akademinë Partizani.

Partizani U19 – Kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë
Skuadra U19 zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm duke fituar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, duke kompletuar një dopietë të merituar pas një edicioni të dominuar nga fillimi deri në fund.

Të kuqtë e mbyllën sezonin me 18 fitore, 6 barazime dhe vetëm 2 humbje në 26 ndeshje të zhvilluara, ndërsa realizuan 63 gola dhe pësuan 32. Përgjatë gjithë kampionatit, Partizani U19 tregoi stabilitet, personalitet dhe mentalitet fitues, duke qenë skuadra më konstante në garë.

Një rol të rëndësishëm në suksesin e skuadrës pati sulmuesi Erald Rrenga, i cili realizoi 16 gola në total gjatë sezonit, 13 në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë, duke qenë një nga pikat më të forta të repartit ofensiv.

Pas këtij suksesi qëndron puna e stafit teknik të drejtuar nga trajneri Fatjon Muhameti, së bashku me asistentin Ardi Bekteshi dhe trajnerin e portierëve Florian Ristani. Për Muhametin, ky ishte një tjetër sezon historik në krye të grupmoshave të Akademisë Partizani.

Me triumfin në kampionat dhe Kupë gjatë sezonit 2025-2026, Fatjon Muhameti ka arritur të fitojë plot 4 trofe në vetëm dy sezonet e fundit, duke ngritur 2 tituj kampionë dhe 2 Kupa të Shqipërisë. Një bilanc që dëshmon vazhdimësinë, cilësinë e punës dhe aftësinë për të ndërtuar skuadra konkurruese vit pas viti.

Nën drejtimin e tij, Partizani U19 jo vetëm fitoi trofe, por gjithashtu vazhdoi të prodhojë futbollistë të gatshëm për hapin e radhës drejt futbollit profesionist, duke përmbushur në mënyrën më të mirë misionin e Akademisë Partizani.

Partizani U18 – Sulmi më spektakolar i sezonit
Partizani U18 zhvilloi një sezon fantastik, duke e mbyllur kampionatin në vendin e dytë dhe duke regjistruar një nga ecuritë më mbresëlënëse në futbollin e moshave.

Skuadra grumbulloi 20 fitore në 26 ndeshje dhe realizoi plot 95 gola, shifra më e lartë mes të gjitha skuadrave të akademisë, duke u shndërruar në repartin ofensiv më produktiv të sezonit.
Në plan individual spikatën Rei Zekaj me 29 gola, Ergit Hyka me 25 gola dhe Riseld Hoçja, i cili përveç 14 golave kontribuoi me plot 26 asistime, duke qenë një nga futbollistët më vendimtarë të kampionatit.

Megjithatë, pavarësisht një sezoni të dominuar në pjesën më të madhe të tij, Partizani U18 e humbi titullin kampion vetëm në finalen e kampionatit, pas një rruge të gjatë dhe të suksesshme që e mbajti skuadrën mes pretendentëve kryesorë deri në ndeshjen e fundit.

Edhe pse trofeu mungoi, paraqitjet dhe statistikat e skuadrës konfirmuan cilësinë e grupit dhe potencialin e madh të lojtarëve për të ardhmen.

Skuadra drejtohej nga trajneri Aldo Duro dhe asistenti Klei Cara, të cilët ndërtuan një ekip spektakolar, me identitet të qartë loje dhe mentalitet fitues.
Partizani U17 – Vazhdimësi në elitën e futbollit të moshave
Edhe skuadra U17 zhvilloi një sezon të nivelit të lartë duke siguruar vendin e dytë në renditje dhe duke konfirmuar vazhdimësinë e rezultateve pozitive të Akademisë Partizani.

Të kuqtë e mbyllën kampionatin me 19 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, ndërsa realizuan 75 gola gjatë sezonit, duke qenë një nga skuadrat më konkurruese të kategorisë.
Golashënuesi më i mirë i skuadrës ishte Dionis Pera me 16 gola, ndërsa grupi drejtohej nga trajneri Algert Hurdha dhe asistenti Eldi Thaka.
Partizani U17 e nisi sezonin me statusin e kampionit në fuqi, pas suksesit të arritur një vit më parë, dhe gjatë gjithë kampionatit tregoi se mbetej një nga skuadrat më cilësore të futbollit të moshave në Shqipëri.

Gara për titullin u vendos vetëm në fund, në një sfidë dramatike ndaj Vorës në fushën e kësaj të fundit. Pas një sezoni të luftuar deri në detajet e fundit, Partizani e humbi mundësinë për të mbrojtur titullin kampion në minutat e fundit të ndeshjes vendimtare, duke u renditur përfundimisht në vendin e dytë.
Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit të momentit, skuadra zhvilloi një sezon me nivel të lartë sportiv, duke treguar karakter, cilësi dhe vazhdimësi. Vendi i dytë, mënyra si skuadra konkurroi deri në sekondat e fundit për titullin dhe zhvillimi i futbollistëve të kësaj grupmoshe janë tregues të qartë të punës së bërë gjatë sezonit.
Shumë prej lojtarëve të këtij brezi konsiderohen pjesë e rëndësishme e së ardhmes së Akademisë Partizani dhe kandidatë potencialë për hapat e ardhshëm drejt futbollit profesionist.
Partizani U16 – Një sezon për të reflektuar
Skuadra U16 e mbylli sezonin mes 5 skuadrave më të mira duke shmangur pjesmarrjen në Playout.

Në 26 ndeshje të zhvilluara, Partizani regjistroi 9 fitore, 4 barazime dhe 13 humbje, duke realizuar 39 gola dhe pësuar 34. Golashënuesi më i mirë i skuadrës ishte Orest Buçka me 9 gola.

Pavarësisht se rezultatet nuk ishin në nivelin e grupmoshave të tjera të akademisë, sezoni i U16 duhet parë si një vit formimi dhe konsolidimi për një grup futbollistësh që janë në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të tyre.
Një nga aspektet më pozitive ishte reagimi i skuadrës në pjesën e dytë të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Ermal Serjani arriti të përmirësojë paraqitjet, të fitojë pikë të rëndësishme dhe të largohet gradualisht nga zona e rrezikut, duke siguruar qëndrimin në 5 skuadrat më të mira pa kaluar në Play-Out.

Ky reagim tregoi karakterin e grupit dhe aftësinë e lojtarëve për të përballuar momentet e vështira, duke mos humbur fokusin te procesi i zhvillimit. Për shumë prej futbollistëve të kësaj grupmoshe, sezoni shërbeu si një eksperiencë e vlefshme që pritet të japë frytet e saj në vitet e ardhshme.
U15 – Një tjetër skuadër nënkampione

Skuadra e drejtuar nga trajneri Julian Kaça zhvilloi një sezon pozitiv, duke koleksionuar 16 fitore, 1 barazim dhe 9 humbje përgjatë gjithë kampionatit. Të kuqtë treguan karakter dhe vazhdimësi, ndërsa në fazën “play-off” dhuruan paraqitje dinjitoze dhe plot grintë.
Partizani U15 realizoi 66 gola dhe pati si protagonist kryesor Brajan Hykollarin, i cili mbylli sezonin me 22 gola të shënuar.

Një mbyllje pozitive për 15-vjeçarët e Partizanit, që konfirmuan potencialin dhe zhvillimin e vazhdueshëm gjatë këtij sezoni.
Shifrat që tregojnë dominimin e Akademisë Partizani
Pesë grupmoshat kryesore të Akademisë Partizani regjistruan së bashku:
– 130 ndeshje
– 82 fitore
– 16 barazime
– 32 humbje
– 338 gola të shënuar
– 164 gola të pësuar
Akademia arriti të fitojë 262 pikë nga 390 të mundshme, duke regjistruar një përqindje prej 67.2% të pikëve totale.

Akademia me rezultatet më të mira në Shqipëri
Sezoni 2025-2026 konfirmoi edhe një herë Akademinë Partizani si një nga strukturat më të konsoliduara të futbollit të moshave në vend.
Rezultatet flasin qartë:
– 1 skuadër kampione
– 1 Kupë Shqipërie
– 3 skuadra nënkampione
– Asnjë skuadër në zonën Play-Out
– 338 gola të shënuar
– Numri më i madh i fitoreve
– Numri më i vogël i golave të pësuar
– Dy lojtarë në krye të renditjeve të golashënuesve në kategoritë respektive
Rruga drejt ekipit të parë
Një nga objektivat kryesore të Akademisë Partizani vazhdon të mbetet promovimi i futbollistëve drejt ekipit të parë.

Gjatë sezonit 2025-2026 kontrata profesionale firmosën Elson Himallari, Dion Vata, Fabio Hyseni dhe Abdu Sarjo.
Ndërkohë minuta me skuadrën e parë morën Darius Zadeja, Klaus Qefalia, Fabio Hyseni dhe Abdu Sarjo, duke dëshmuar se puna e akademisë po prodhon vazhdimisht futbollistë të gatshëm për nivelin më të lartë.


Një model suksesi për të ardhmen
Nën drejtimin e Drejtorit të Akademisë Genci Tomorri dhe me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Gazment Demi, Akademia Partizani vazhdon të ndërtojë një model ku rezultatet sportive ecin paralelisht me zhvillimin individual të futbollistëve dhe formimin e karakterit të tyre.
Sezoni 2025-2026 do të mbetet një nga sezonet më të suksesshme në historinë e Akademisë Partizani. Një sezon trofesh, rekordesh dhe zhvillimi, që konfirmon se e ardhmja e klubit po ndërtohet mbi baza të forta.

Akademia Partizani
Formojmë talentin, ndërtojmë karakterin, krijojmë kampionët e së ardhmes.




















