Kampionët në fuqi sigurojnë një vend në “Final 4” falë suksesit 1 – 0 të arritur ndaj Skënderbeut në takimin e vlefshëm për javën e 34 të kampionatit. Sfidës në “Arenën e Demave” i ka paraprirë një ceremoni e veçantë në ndër të ish-presidentit të nderit të klubit tonë Resul Demi. Drejtuesit dhe kapitenët e të dy ekipeve iu drejtuan sektorit të tribunës ku ishte dedikuar një banderolë gjigande duke vendosur buqeta me lule. Më pas të gjithë të pranishmit mbajtën 1 minutë heshtje.
Vërshëllima e Andi Koçit i jep start sfidës e cila ashtu siç pritej shfaq të kuqtë më kërkues teksa Keko jep sinjalin e parë në katërkëndëshin e Aliaj. Pak minuta më pas është Rrapaj në hyrje të zonës që tenton nga larg por topi i devijuar përfundon mbi tra. Pjesa e parë e takimit do të mbyllet më një mundësi të artë të Mba. Sulmuesi i kuq i vetëm përballë portierit mik nuk arrin të shënoj duke sfumuar momentin më të pastër të 45 minutave të para. Fraksioni i dytë i lojës shfaq sërisht të kuqtë dominues. Në minutën e 57 Skuka mposht gardinain Aliaj , por goli anulohet për pozicion të parregullt. Në 73 Maget vertikalizon bukur për Bintsukën i cili nuk konkretizon saktë akionin. Kampionët rrisin presionin drejt portës së miqve dhe si rezultat arrijnë të zhbllokojnë shifrat në minutën 84. Mensah i sapo futur në fushë devijon saktë harkimin e Buxhelaj duke kaluar të kuqtë në avantazh. Minutat e mbetura nuk sjellin asnjë ndryshim panvarësisht përpjekjeve të Skendërbeut.
Vërshëllima e kryesorit Koçi i jep fund kësaj përballje. Kampionët në fuqi koleksionojnë fitoren e 3 radhazi në këtë sezon dhe tashmë diferenca me kryesusit e Egnatias është vetëm 3 pikë diferencë.