ABISSNET SUPERIORE | FLAMURTARI 1 – 2 PARTIZANI / JAVA 25

Fitore e madhe e të kuqve në Vlorë, “Final 4” më pranë

Partizani ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Flamurtarin me rezultatin 1-2 dhe duke vijuar serinë pozitive në kampionat. Të besuarit e trajnerit Kërnaja ndajnë tashmë vendin e katërt me Dinamon, duke qenë më pranë objektivit “Final 4”.

Ndeshja nisi në disavantazh për të kuqtë, me vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 9-të me Maksutin. Reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm, me Ismailin dhe kapitenin Atanaskoski që provuan të rikthenin baraspeshën, por pa gjetur kuadratin.

Pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme, momenti i kthesës erdhi në minutën e 45’, kur Sekou Sidibe fitoi një 11-metërsh të konfirmuar nga VAR dhe e shndërroi saktë në gol, duke mbyllur pjesën e parë në barazim 1-1.

Në fraksionin e dytë, ishte sërish Sidibe protagonist. Në minutën e 48’, sulmuesi i kuq përfitoi nga një gabim në mbrojtjen vendase dhe përmbysi rezultatin në 1-2, duke ndezur entuziazmin e tifozëve të kuq të pranishëm në stadiumin “Flamurtari”.

Momenti drithërues i takimit u regjistrua në minutën e 74’, kur portieri Pano Qirko priti penalltinë e goditur nga Marku, duke ruajtur avantazhin e çmuar të skuadrës. Në minutat shtesë, Skuka ishte shumë pranë golit të tretë, por shtylla i mohoi festën.

Mbyllet gjithçka në Vlorë me një fitore të merituar 1-2 dhe “Demat e kuq” koleksionojnë suksesin e tretë radhazi. Me 36 pikë në renditje, Partizani konfirmon momentin e shkëlqyer që po përjeton dhe afrohet ndjeshëm me zonën “Final 4”, duke mbajtur gjallë objektivin e fillim sezonit në këtë fazë vendimtare të kampionatit.