Partizani B siguron ngjitjen në Kategorinë e Dytë pas fitores ndaj Turbinës
Partizani B ka siguruar një vend në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm, pasi mposhti Turbinën me rezultatin e pastër 3-0 në ndeshjen finale të fazës play-off. Takimi u zhvillua në “Elbasan Arena”, ku përballë njëri-tjetrit u vunë dy skuadra me ecuri të ndryshme: Partizani B vinte pas një fitoreje bindëse ndaj Albetrolit, ndërsa çerrikasit e Turbinës pas një humbjeje ndaj Gramshit.
Në një fushë perfekte dhe nën një mot të ngrohtë pranveror, u zhvillua kjo finale që do të përcaktonte skuadrën që do të siguronte ngjitjen në kategorinë më të lartë. Skuadra e kuqe, nën drejtimin e Renaldo Kalarit, e nisi shumë mirë takimin, duke qenë kërkuese që në sekondat e para.
Megjithatë, fillimi euforik u zbeh për shkak të një dëmtimi të rëndë të mbrojtësit të majtë, Denis Sulo, i cili gjatë një dyluftimi pësoi një dëmtim në shpatull që e detyroi të largohej nga fusha. Një episod i çuditshëm ndodhi pas këtij momenti, teksa Osmanllari po bëhej gati të futej në lojë, por për shkak të mungesës së tabelave të zëvendësimit, skuadra e kuqe u detyrua të luante për disa minuta me 10 lojtarë.
Ky moment rezultoi vendimtar, pasi në minutën e 14-të Jatta zhbllokoi ndeshjen, duke i dhënë avantazhin Partizanit B, që më pas administroi mjaft mirë rezultatin përgjatë pjesës së parë dhe shkoi në dhomat e zhveshjes e qetë dhe e sigurt.
Pjesa e dytë e lojës ishte një vazhdimësi e dominimit të kuq, me një skuadër edhe më kërkuese. Kolumbiani Contreras do të ishte protagonist , duke realizuar një dopietë, i asistuar saktë në të dyja rastet nga Sterling.
Me rezultatin përfundimtar 3-0, Partizani B fiton me meritë dhe siguron pjesëmarrjen në Kategorinë e Dytë. Kjo ngjitje është një hap i rëndësishëm në misionin e klubit për të ndërtuar një skuadër të dytë të fortë, që do të shërbejë për rritjen dhe përgatitjen profesionale të talenteve të rinj, të cilët në të ardhmen do të jenë mbështetje për ekipin e parë.