➡️ Skuadra e 19-vjeçarëve të Partizanit ka arritur një fitore bindëse ndaj Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit. Një sfidë e luftuar në minutat e para, deri në momentin kur Nebi Qokthi zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t. Vetëm shtatë minuta më vonë, Erald Rrenga dyfishoi avantazhin, duke shënuar golin e tij të parë personal për këtë sezon. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0.
➡️ Në pjesën e dytë, skuadra vazhdoi me të njëjtën energji dhe grintë, duke dominuar qarkullimin dhe menaxhimin e lojës. Në minutën e 60-të, Ersi Qamili shërbeu një krosim perfekt drejt Tedi Malajt, i cili, me një kthesë fantastike me të majtën e tij, e çoi topin në rrjetë për rezultatin 3-0. Vetëm katër minuta më vonë, Rrenga, falë presingut dhe këmbënguljes, realizoi golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes.
➡️ Në këtë takim, debutuan me fanellën e kuqe dy 17-vjeçarët, Enea Elmazi dhe Alesio Demiri, ndërsa pati gjithashtu një rikthim në fushë për Mateo Shehun.
➡️ Pas kësaj fitoreje, skuadra e 19-vjeçarëve të Partizanit pozicionohet në vendin e dytë me 28 pikë. Sfida e ardhshme për të besuarit e trajnerit Fatjon Muhameti do të jetë një test i vërtetë kampionesh, përballë Skënderbeut, në Korçë.