🏆 PARTIZANI U17 FITUES I TROFEUT “SABAH BIZI”

Një trofe që mban emrin e një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar dhe që simbolikisht bashkon dy fanella që Sabah Bizi i veshi me krenari gjatë karrierës së tij: Vllazninë dhe Partizanin.
I formuar në Shkodër dhe protagonist me Vllazninë që në mesin e viteve ’60, Bizi kaloi te Partizani në vitin 1968, ku qëndroi për rreth tre sezone dhe fitoi trofe të rëndësishëm, përpara se të rikthehej në Shkodër. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare dhe e brezit që la gjurmë të thella në historinë e futbollit tonë.
Pikërisht kjo histori e përbashkët i dha një domethënie të veçantë miqësores mes Vllaznisë U17 dhe Partizanit U17, dy akademive me traditë të madhe në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Më shumë sesa një rezultat, kjo ishte një ndeshje respekti, kujtese dhe vazhdimësie mes brezave.

Në fund, Partizani U17, i drejtuar nga Bektash Çapoku, ngriti trofeun “Sabah Bizi”. Golat për të kuqtë u shënuan nga Jurgen Totaj dhe Kristaq Kuniqi.
Nga historia e Sabah Bizit te brezi i ri që sot kërkon të shkruajë historinë e vet. Dy klube, dy akademi, një emër që i bashkon.
Respekt dhe mirënjohje për të madhin Sabah Bizi! 🏆



















