
Partizani U19 ka arritur një fitore të rëndësishme në transfertën e Fierit, duke mposhtur Apoloninë me rezultatin 0-3. Të kuqtë, të drejtuar nga trajneri Fatjon Muhameti, e nisën ndeshjen me një qëndrim sulmues dhe u shpërblyen me dy gola në pjesën e parë.
Në minutën e 37-të, Rrenga zhbllokoi sfidën, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Misja dyfishoi rezultatin në minutën e 45-të, duke dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me epërsinë 0-2.
Në fraksionin e dytë, Partizani menaxhoi mirë lojën dhe siguroi fitoren me një tjetër gol në minutën e 81-të, të realizuar nga Qokthi, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 0-3.
Falë këtij suksesi, të kuqtë ngjiten në vendin e dytë në renditje, vetëm një pikë larg Skënderbeut, që kryeson kampionatin.