U15 dhe U16 ndalen në derbit ndaj Tiranës në “Arenën e Demave”

Derbi i kryeqytetit, fundjavë pa pikë për U15 dhe U16 të Partizanit

 

Nuk ishte një e shtunë e lehtë për moshat e Partizanit, pasi ekipet U15 dhe U16 u ndalën nga Tirana në ndeshjet e zhvilluara në “Arenën e Demave”, në kuadër të javës së katërt të kampionatit.

Të parët që zbritën në fushë ishin të rinjtë e Julian Kaçes, të cilët zhvilluan një ndeshje me ritëm dhe dëshirë, duke krijuar disa mundësi të pastra për gol. Megjithatë, mungesa e saktësisë në finalizim dhe dy gabime në mbrojtje u kushtuan shtrenjtë të kuqve, që u ndëshkuan në kundërsulm dhe pësuan humbjen e dytë radhazi. Pas katër javësh, Partizani U15 mbetet me 6 pikë, ndërsa synon të rikthehet te fitorja në sfidën e radhës.

Në vijim të ditës u luajt edhe derbi i U16, ku skuadra e drejtuar nga Ermal Serjani nuk arriti të shmangte humbjen përballë Tiranës, me rezultatin 1–2. Bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 29, ndërsa dyfishuan shifrat në të 47-ën. Për Partizanin reagoi Fabio Hyseni, i cili ngushtoi rezultatin në 1–2 në minutën e 71.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe faktit që kundërshtari mbeti me një lojtar më pak që nga minuta e 55, të kuqtë nuk arritën të gjenin golin e barazimit. Në përfundim të javës së katërt, Partizani U16 renditet në vendin e parafundit me 3 pikë, ndërsa Tirana kryeson kampionatin.

🔴 Dy sfida që nuk sollën pikë, por mjaftueshëm mësime për vazhdimësinë e kampionatit. Të kuqtë do të kërkojnë rikthimin e menjëhershëm te rezultatet pozitive në ndeshjet e ardhshme.