Transferta e Korçës e vështirë për të rinjtë e Partizanit, vetëm U-13 rikthehet me pikë
Partizani U-17 dhe U-19 nuk ia dolën të marrin rezultat pozitiv në transfertën e Korçës, duke u mposhtur nga vendasit e Skënderbeut.
Të parët zbritën në fushë U-17, nën drejtimin e trajnerit Aldo Duro, të cilët e nisën mjaft mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të me golin e Lleshajt. Megjithatë, pjesa e dytë solli përmbysjen nga Skënderbeu, që shënoi tre herë në minutat 52, 75 dhe 82. Në minutën e 87-të, Zekaj arriti të ngushtonte diferencën në 3-2, por nuk mjaftoi për të marrë pikë nga kjo transfertë.
Menjëherë pas përfundimit të takimit të U-17, në fushë zbritën 19-vjeçarët, të cilët zhvilluan një ndeshje të luftuar, me shumë duele dhe tension. Vetëm në pjesën e parë u akorduan plot shtatë kartonë, ndërsa në minutën e 45-të Diallo u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me disavantazh numerik për të kuqtë.
Edhe fraksioni i dytë vazhdoi me të njëjtin intensitet dhe tension, ndërsa në minutën e 82-të Skënderbeu gjeti rrugën e rrjetës, duke vulosur fitoren minimale 1-0.
E vetmja skuadër e Partizanit që arriti të dalë me pikë nga transferta e Korçës ishte ajo e U-13, që barazoi 0-0 me moshatarët e Skënderbeut.
Pas javës së 17-të, Partizani U-17 dhe U-19 mbajnë vendet e dyta në renditje, me 39 dhe 29 pikë përkatësisht.