Superiore U19 | Java 6 – Barazim dramatik në terrenin e rënduar të Laçit
Në Aneksin Sportiv të Laçit, të dielën më 26 tetor, Partizani U19 zhvilloi një ndeshje të fortë dhe të luftuar ndaj skuadrës vendase, në një terren të rënduar nga shiu dhe balta që e bëri sfidën edhe më të vështirë.
Të kuqtë e drejtuar nga Fatjon Muhameti e nisën takimin me dominim të qartë në lojë dhe krijuan disa mundësi për gol, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura . Në fraksionin e dytë, pas një presioni të vazhdueshëm, Partizani kaloi në avantazh në minutën e 59-të, kur Biba shënoi autogol pas insistimit të skuadrës sonë.
Megjithatë, terreni i rënduar dhe disa vendime të diskutueshme të gjyqtarit Dyrmishi ndikuan në rrjedhën e lojës. Një 11-metërsh i dhënë në minutën e 74-të i dha mundësinë Ajazit të barazonte për Laçin.
Reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm: vetëm dy minuta më vonë, Neid Banushi riktheu epërsinë për të kuqtë me një finalizim të saktë, por një tjetër 11-metërsh i dhënë në fundin e ndeshjes vulosi rezultatin përfundimtar në barazim 2:2 .
Pas këtij takimi të luftuar, të kuqtë mbeten në vendin e dytë me 11 pikë, tre më pak se Laçi, por me një ndeshje për të luajtur .
Skuadra tashmë përgatitet për përballjen e radhës ndaj Dinamo City në Arenën e Demave, ndërsa pritet të përcaktohet data e ndeshjes së prapambetur ndaj Skënderbeut

Në Aneksin Sportiv të Laçit, të dielën më 26 tetor, Partizani U19 zhvilloi një ndeshje të fortë dhe të luftuar ndaj skuadrës vendase, në një terren të rënduar nga shiu dhe balta që e bëri sfidën edhe më të vështirë.
















