Partizani U17 e nis aty ku e la, me forcë dhe karakter.
Skuadra e drejtuar nga Algert Hurdha arriti një fitore me karakter në fushën e rivalëve të kryeqytetit, Tiranës, me rezultatin 2-4.
Një sfidë që pritej të dhuronte emocione, por pak kush do ta mendonte një start kaq mbresëlënës të të kuqve, të cilët shënuan plot 3 gola në pjesën e parë. Hyseni, afrimi më i ri i akademisë Partizani, zhbllokoi takimin në minutën e 10’. Në të 36’-ën Gjati nuk arriti të shndërrojë në gol një penallti, por nga topi i mbetur në zonë reagoi më shpejt Pera, i cili dyfishoi rezultatin. Pesë minuta më vonë, sërish Pera do të shënonte, duke trefishuar shifrat dhe duke çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-3.
Fraksioni i dytë solli edhe 3 gola të tjerë dhe mjaft emocione. Bardheblutë realizuan dy herë, në minutën e 75’ dhe në shtesë (90+’), duke e bërë ndeshjen akoma më të zjarrtë. Në një moment kur Tirana ishte hedhur totalisht në sulm për të barazuar, Odisea Gjati me një goditje nga distanca shënoi golin e katërt për Partizanin, duke shpërthyer festën e kuqe.

Pas këtij momenti, gjyqtari Kushta i dha fund takimit, me Partizanin që e nis sezonin me një sukses shumë të rëndësishëm. Në javën e ardhshme, të kuqtë do të presin Apoloninë në “Arenën e Demave”.



















