Skuadra e 18-vjeçarëve të Partizanit nuk ka arritur të marrë pikët e plota në përballjen ndaj Teutës, duke ndarë nga një pikë pas barazimit 2-2. Një ndeshje e luftuar, ku të dyja skuadrat shfaqën dëshirë dhe grintë për të dalë me fitore nga kjo përballje.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e të kuqve, falë golit të shënuar në fundin e kësaj pjese nga Neid Banushi, i cili i dha avantazhin skuadrës së drejtuar nga Gerd Haxhiu.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës, Partizani vazhdoi me paraqitjen e mirë, por Teuta gjeti mënyrën për të barazuar në minutën e 73-të me anë të Dedës. Tre minuta më vonë, Partizani mbeti me një lojtar më pak, pasi Joel Dashi u ndëshkua me karton të dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë. Vetëm dy minuta pas kësaj, Kurtaj përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen e Partizanit, duke i dhënë avantazhin Teutës me rezultatin 2-1.
Megjithatë, të kuqtë nuk u dorëzuan dhe gjetën forcat për të reaguar, duke barazuar sfidën në minutën e 84-t me anë të Gridi Çupit. Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat u përpoqën për golin e fitores, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Pas këtij barazimi, Partizani U18 ruan pozitat në vendin e katërt me 18 pikë, duke vazhduar garën për objektivat sezonalë.