Rezultate e skuadrave U13 – U15

U-15 | Fitore dramatike ndaj Vllaznisë – Partizani ruan vendin e katërt

Skuadra U-15 e Partizanit vijon ecurinë pozitive, teksa këtë herë ka triumfuar në shtëpi ndaj Vllaznisë me rezultatin 3-2, në një përballje dramatike të vlefshme për javën e 22-të të kampionatit.

Të kuqtë e drejtuar nga stafi teknik zhvilluan një ndeshje të luftuar, ku fati i takimit u vendos në minutat shtesë. Heroi i ndeshjes ishte Bucka, autor i një dopiete vendimtare, ndërsa goli tjetër u shënua nga Gjoçi.

Pavarësisht dy fitoreve të fundit, renditja për Partizanin U-15 mbetet e pandryshuar, me skuadrën që pozicionohet në vendin e katërt me 19 pikë, 13 më pak se vendi i parë.

 

U-13 | Dy suksese brenda dy ditësh – trofe dhe fitore në kampionat

Një fundjavë perfekte për skuadrën U-13 të Partizanit, që arriti dy fitore me të njëjtin rezultat 1-3, duke siguruar një trofe dhe tre pikë në kampionat.

Fillimisht, të kuqtë triumfuan në turneun “AF Cup”, ku mposhtën Dajtin në finale dhe u shpallën fitues të edicionit të 7-të të këtij kompeticioni. Krahas trofeut si skuadër, Partizani mori edhe çmime individuale: Islamaj u shpall golashënuesi më i mirë, Tirana u vlerësua si portieri më i mirë, ndërsa Biba u zgjodh lojtari më i mirë i turneut.

Vetëm një ditë më pas, ekipi U-13 përsëriti suksesin në kampionat, duke mposhtur Teutën në transfertë me rezultatin 1-3, dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon skuadra e kuqe në këtë fundsezoni.