PRONONCIMI I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTIZANIT OLSI RAMA, DHËNË PËR “PANORAMA SPORT”

Matondo është rasti i parë që një ish-lojtar i Partizanit flet keq pas largimit. Ai ka pretendimet e tij për trajtimin e lojtarëve më ngjyrë, gjoba selektive, si dhe probleme me biletat… A keni një koment ju si drejtor i përgjithshëm i klubit?

O.Rama: Është vërtet hera e parë. Këto 2-3 muaj të negociatave mes Matondos dhe Hatajsporit kanë qenë me shumë ulje-ngritje dhe historia e Shandrelit, e kam thirrur gjithnjë kështu për shkak të raportit më të afërt që kisha me të, është një nga zhgënjimet më të mëdha në planin njerëzor. Nuk e kam lexuar të plotë intervistën, por disa pasazhe. Më duket çudia më e madhe të dëgjoj emrin e Partizanit të lidhur me racizmin, sepse është padrejtësi e vërtetë, që një lojtar i Partizanit të shprehet në këtë mënyrë. Nuk e kam dëgjuar kurrë, edhe nga dikush që është jashtë Partizanit. Sepse ata
që janë brenda e dinë shumë mirë se si trajtohen të gjithë lojtarët, pa përjashtim. Absolutisht nuk është e vërtetë që ndaj Matondos janë vënë gjoba selektive, sepse gjobat te Partizani funksionojnë për të gjithë njësoj, të mbështetura në rregulloren e klubit.

Matondo është përsëritës për vonesat në rikthimet e tij në Shqipëri. Ai është kthyer me minimumi 12 ditë vonesë, duke krijuar situata që nisnin që nga sëmundja e vajzës, deri te vdekja e një personi, që e kishte rritur në fshatin ku ky duhet të shkonte të bënte varrimin dhe ku nuk kishte internet, deri te ritualet religjioze që ai bënte me familjen. Sipas tij, ne duhej ta linim, pasi edhe situatat me vajzën ndodhnin, sepse ai nuk kryente ritualet e tij me familjen. Në komunikimin tim me menaxherin e Masangës, kam parë mesazhet e xhaxhait të tij, që thoshte se Partizani nuk e ka trajtuar mirë dhe nuk i ka dhënë rrogat. Kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi veç trajtimit, është lehtësisht e vërtetueshme që ne e kemi paguar. Në justifikimet e Matondos ishin ritualet dhe ne nuk e kemi penguar, ndryshe nga pretendimet e xhaxhait. Ne nuk pengojmë asnjë që të praktikojë besimin e tij fetar. Në planin njerëzor, është zhgënjim total. Ai ka bërë mirë te Partizani, nuk ia heqim dot kujtimin e mirë në fushë, por për fjalët mbrapa dhe gjithë të tjerat është zhgënjim. Si drejtor i Partizanit më duhet ta lexoj të plotë, ta shikoj, të konsultohem dhe besoj se nëse aty ka akuzë të drejtpërdrejtë racizmi, na lind e drejta ta ndjekim në mënyrë ligjore situatën.

Për çfarë jeni “penduar” në lidhje me gjithë aventurën e Matondos te Partizani?

O.Rama: Jo, nuk jam penduar për asgjë. E vetmja gjë që do t’i thosha Masangës është që të mos gënjejë, sepse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe ne i kemi mësuar të gjitha gënjeshtrat e tij dhe thjesht kemi humbur respektin për dikë që mund të kishte lënë kujtim më të mirë këtu.

Përveç Matondos, kemi parë edhe rastet e Telushit dhe “ndëshkimin” e Da Silvës. Përse kaq “e nxehtë” kjo verë?

O.Rama: Nuk e di në detaje situatën e Telushit . Eshtë marrë vetë presidenti me atë gjë. Telushi ishte kapiten i Partizanit, ndoshta pretendimet me të drejtë kishte pretendimet e tij në lidhje me formacionin dhe më tepër. Unë si drejtor dua që në ekipin tim të kem 25 lojtarë që duan të jenë pjesë e 11-shes, por në radhë të parë dua lojtarë që t’i binden trajnerit me 100% dhe të jenë të gatshëm të kontribuojnë qoftë edhe një minutë, sa për të vonuar lojën, nëse do të gjendemi në një situatë të tillë. Duke përqafuar shokët te goli apo edhe në fushën e stërvitjes. Kurse situata me Da Silvën është diçka krejt tjetër. Ai është trajtuar sipas rregullave të klubit, me një bashkërendim me trajnerin dhe drejtorin sportiv. Da Silva është aset i Partizanit, të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë, duke nisur nga unë, por që të jetë ai lojtar që i duhet vërtet Partizanit, duhet të vihet në shërbim të skuadrës. Pastaj skuadra do të vihet në shërbim të Da Silvës. Ai është djalë shumë i mirë, por limiti i tij është vetvetja dhe fati i Partizanit është ky limit, sepse përndryshe Da Silva do të ishte në një kampionat më të mirë se i yni.

Mos do të ishte më mirë të menaxhohej më ndryshe pjesa e Da Silvës dhe ta kishte ndihmuar Partizanin në Europë? Shkuat deri në “play off”..

O.Rama: Unë mendoj se proçesi i rritjes është i dhimbshëm dhe se karakteri tregohet në momente të vështira. Ekipi vjen përpara individit edhe në momentet delikate. Ne kemi humbur diçka nga cilësitë e Da Silvës në ato ndeshje, por shpresoj të kemi fituar shumë nga ana morale, ku të gjjthë lojtarët të kenë kuptuar se te Partizani nuk ka individë, por ekip.

Ju duket se skuadra e fizionominë që duhet të ketë një klub kaq i strukturuar si Partizani?

O.Rama: Besoj se kemi akoma më shumë sa i përket strukturimit, duke nisur nga kompleksi. Mendoj se jemi solidë, kemi lojtarë shumë të mirë. Kemi jo vetëm 11 titullarë, por edhe në stol lojtarë të gatshëm për të ndihmuar. Kemi edhe të rinj me shumë të ardhme. Besoj se jemi në rrugën e mbarë edhe me stafin teknik, që këta djem të bëhen ekip më i mirë.

Si ju duket ky start i Partizanit në kampionat?

O.Rama: Viti i kaluar ka ndihmuar në mentalitetin fitues. Besoj djemtë e mbajnë atë shenjën e kampionit , nuk e kemi në fanellë diçka të tillë siç e kanë edhe vendet e tjera. Mendoj se ka ardhur momenti që federata të mendojë për diçka. Javët në vazhdim do të tregojnë më tepër. Formula e kampionatit krijon një lloj situate  të vakët në fazat e para dhe të dyta, sepse shosh shumë ekipe që mendojnë se mund të riparojnë dhe i kapin 4 vendet e para. Kjo do apo s’do, ndikon te lojtarët. Eshtë detyra e stafit teknik që t’i mbajë në ritëm.

Mesa mund të dallohet paraprakisht, skema e re është ndëshkuese për skuadrat që investojnë shumë, siç është edhe Partizani. Përse nuk e pamë një kundërshtim më këmbëngulës nga klubi juaj?

O.Rama: Nuk ka ndonjë gjë të keqe të eksperimentohet me formulën e kampionatit, duke u dhënë kohën e duhur klubeve të përgatiten për këto ndryshime. Nuk besoj se ka një formulënl të artë, sepse ne shohim që edhe UEFA bën ndryshime në formatet e kompeticioneve të veta. Ka sigurisht anë jopozitive, që i përmenda më lart, por nëse arrijmë të bëhemi të zgjuar, mund të shfrytëzojmë faktin që t’i japim më shumë të rinjve, duke pasur parasysh që jo çdo ndeshje është më e rëndësishmja e kampionatit.

Ama ende nuk e kemi parë Partizanin në këto ndeshje të para, që të ingranojë “gjak” të ri në skuadër

O.Rama: Po shikoj dhe po më pëlqen aktivizimi i disa të rinjve në skuadrat e tjera, edhe pse mbase më shumë edhe nga nevoja. Më kanë bërë përshtypje elementë të rinj te Laçi apo Teuta. Japin indicie me të vërtetë pozitive për të ardhmen e futbollit tonë. Detyra e Partizanit për të mbrojtur titullin, kupat e Europës, të gjitha këto krijojnë një ekip më solid. Sigurisht që ne kemi të rinj me shumë të ardhme dhe sigurisht që do t’i vijë koha Buxhelajt dhe Kotes të luajnë dhe do ta fitojnë në fushë. Unë mendoj se mënyra më e mirë për këta të rinj është që ta fitojnë 11-shen në fushë dhe jo që t’u jepet. Shihni rastin e Bintsukës, ishte në njëfarë mënyre kalimtar, vinte nga huazimi në Kosovë, erdhi dhe tregoi se kishte potencial, përfitoi nga mungesa e Mba dhe i kaloi pritshmëritë. Tani është pjesë e Partizanit. Lojtarët duhet të punojnë pa ulur Kokën. Zekolli, Preka, Kote, Buxhelaj, Sembene, do të vijë momenti i tyre.

Çfarë ndryshimi ka Partizani me Zekiçin në krye ?

O.Rama: Zekiç sjell një eksperiencë të veten ndërkombëtare, e kemi pasur kundërshtar me Sherif Tiraspol. Ka eksperiencë, pjekuri, komunikim dhe avantazhi i Zekiç është edhe afërsia e traditave, karaktereve dhe motovitetit të Ballkanit, sepse duke qenë kroat, arrin ta kuptojë më mirë mentalitetin e shqiptarëve. Eshtë më pranë në këtë aspekt dhe di të komunikojë më mirë. Po nis të shikohet edhe dora e tij. Më pëlqen që është fleksibël, në raport me skemat. Sheh lojtarët, sheh ekipin. Për mendimin tim dhe të tijin mund të kishim bërë më mirë në Kupat e Europës, por fakt është që na dënoi shumë mungesa e eksperiencës. Nëse do të shkonim në grupe, në ndeshjet në vijim do të kishim parë një Partizan më të pjekur. Eshtë një proçes rritjeje. Ndeshjet ndërkombëtare kërkojnë një lloj pjekurie dhe vetëbesimi, që e krijon duke luajtur dhe jo thjesht në stërvitje.

 Kujt i druheni më shumë për titullin, Egnatias apo Tiranës?

O.Rama: Kam pasur fjalë të mira për Egnatian vazhdimisht dhe më pëlqen mënyra se si e kanë bërë rritjen e tyre. Këtë vit janë mes pretendentëve. Unë nuk i druhem as Egnatias, as Tiranës. Përkundrazi, më pëlqen që të kem kundërshtarë të fortë dhe më stimulon.

Duamena para dy vitesh ka qenë shumë pranë Partizanit. Ndieni keqardhje që nuk e keni në skuadër

O.Rama: Me Duamenën kam pasur një komunikim personal dhe më ka bërë përshtypje korrektësia dhe dëshira e tij për futbollin, për arsye se vinte nga realitet tjetër dhe pranonte të vinte në Shqipëri. Kjo tregonte se jeta e tij ishte futbolli. Në atë kohë jam interesuar shumë për pjesën shëndetësore të tij, për problemin që ka zemër dhe defribilatorin. Sigurisht, nëse do të vinte te Partizani, do ta bënte pasi të kishte kaluar të gjitha testet mjekësore më rigoroze, sepse jeta e një lojtari ka prioritet mbi gjithçka që mund të fitojë një klub. Nuk e di situatën e tij shëndetësore tani. Kam dëgjuar se e ka hequr defribilatorin. Nëse është e vërtetë dhe më thonë që ta marr tani. Nuk e bëj, sepse gjëja e parë që do t’i them është: ‘Shëndeti është mbi të gjitha, jeta është e para dhe nuk sakrifikohet për asgjë’.

A ndieni keqardhje që aventura e Ilir Dajës me Partizanin nuk shkoi siç pritej?

O.Rama: Ilir Dajën nuk e kisha mik, e bëra mik nga puna. Fitova respektin kur e shihja si trajner, sidomos te Flamurtari e Skënderbeu dhe e bëra mik në marrëdhënien që patëm në punë, për mënyrën se si e shikon dhe përjeton futbollin. Do të doja që bashkëpunimi ynë të kishte zgjatur më tepër, por kushtet erdhën të tilla. Funksionoji edhe pa bërë merkato në vitin e parë, bëmë një ekip që dinte dhe kërkonte tê luante futboll si duhet. Fatkeqësia ishte se Daja nuk kishte këto kushte. Nëse do të ishte këtu do të kishte qenë më i qetë dhe do të kishte punuar më mirë. Jeta është e gjatë, mbase provojmë edhe gjëra të tjera bashkë, nëse të dy do të jemi në futboll.

Ju jeni i përfshirë ngushtë edhe në merkaton e Partizanit. Kush është zbulimi më i madh juaji?

O.Rama: Nuk lam qejf të flas për veten. Ka lojtarë që i kam gjetur këtu, si Jurgen Bardhi që po bën shumë mirë në Turqi. Mund të përmend Bitrin për shembull , sepse nuk besoj se ka pasur njeri besim se ai do të bëhej lojtar i këtij niveli kur ka ardhur ke Partizani. Ka qenë një nga prurjet e para fare. Janë shumë lojtarë dhe unë me të vërtetë ruaj kujtime shumë të mira me ata që kanë ikur. Te skuadra aktuale Hadrojn e kam kërkuar me ngulm , sepse kisha bindjen që do të bënte shumë mirë. Maget shpresoj se do të jetë një lojtar që do të bëjë mirë. Matondon në planin sportiv ishte guxim ta merrje nga Kongo me ato pak video që i pamë, por në planin sportiv ka bërë mirë. Skukën të nos e harrojmë. E morëm pas dy fazave të dobëta me Dinamon. E kisha kërkuar më përpara dhe ngula këmbë të vinte. Duhet kuptuar që unë nuk jam specialist futbolli, panvarësisht se u bënë vite dhe kam mësuar edhe unë goxha. Gjithnjë kam punuar në grup. Kam pasur njerëzit e mi që më kanë ndihmuar. Kalari ke U-19 , është një person , që më bezdis me elemente që duhet të vijnë këtu. Altini është një tjetër. Edhe Arbri , që u bë drejtor sportiv ishte skaut këtu dhe si normalisht do të ketë pjesën e vet të suksesit në lojtarët që ka sjellë. Është punë në grup.

Po zhgënjimi më i madh ?

O.Rama: Ka pasur lojtarë që kanë ardhur për shkak të përshtatjes dhe hapësirave. Më ka ardhur keq për Romeron , që nuk ka bërë atë që mundej , pasi nga ana e cilësive ishte i palimituar për kampionatin shqiptar. Nga ana e mungesës së vullnetit dhe karakterit më pas u bë pengesë. Kaçe nuk  ishte zhgënjim , sepse dihen cilësitë e tij, por nuk u përshtat me kampionatin dhe skemat e trajnerit. Filipoviç ka luajtur me Partizanin, por shkoi në Kazakistan dhe bêri shumë mirë. Nuk quhet zhgënjim, por ai nuk u përshtat me kampionatin shqiptar.

Keni një koment për emërimin e Armando Dukës si zv-president i UEFA-s ?

O.Rama: Është kënaqësi që Shqipëria të përfaqësohet në këto nivele. Shpresoj në një përfaqësim dinjitoz , sepse ishte votuar shumë. Unë e kam uruar personalisht , sepse kemi edhe marrëdhënie jo thjesht institucionale , sepse njihemi prej kohësh. Shpresoj që postin ta shfrytëzojë sa më mirë për të ndihmuar futbollin shqiptar.