Partizani U19, fitore në frymën e fundit

Partizani U19, fitore në frymën e fundit

Partizani i drejtuar nga Fatjon Muhameti ka bërë një start emocionues në kampionat, duke siguruar një fitore me përmbysje në një nga fushat më të vështira të futbollit të moshave, në transfertën e Ballshit.

 

Bylisi arriti të gjente golin shumë shpejt, kur Gjuzi për vendasit zhbllokoi sfidën në minutën e 11-të. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të skuadrës sonë, pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit.

Pjesa e dytë solli emocione të forta. Partizani, falë dëshirës, përgatitjes dhe vendosmërisë, arriti të përmbyste gjithçka. Në minutën e 78-të, 18-vjeçari nga Gambia, Sarjo Abdou, barazoi rezultatin, ndërsa goli i fitores do të vinte në minutat shtesë. Ishte afrimi tjetër i kësaj vere, Murselo Dervishi, i cili në minutën e 96-të pas një goditjeje këndi kërceu mbi të gjithë dhe ndezi festën e kuqe.

Partizani arriti ta mbrojë rezultatin edhe në minutat e mbetura, duke siguruar një fitore fantastike në startin e kampionatit. Tashmë, të kuqtë e Fatjon Muhametit do të presin në shtëpi Apoloninë.