Partizani U19 fiton derbin ndaj Dinamos

Në javën e 7-të të Kampionatit Kombëtar U19, Partizani ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Dinamo City, në një derbi të luftuar dhe plot emocione të zhvilluar në “Arenën e Demave”.

 

Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti, që vinte pas barazimit të kontestuar ndaj Laçit, kishte vetëm një objektiv  rikthimin te fitorja .

Pjesa e parë u karakterizua nga luftë e fortë fizike dhe taktike, me dinamovitët që ishin  më kërkues, por pa arritur të çajnë mbrojtjen e kuqe. Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë, kur 18-vjeçari nga Gambia, Abdou Sarjo, sapo futur në fushë, realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit në minutën e 57-të, duke ndezur sfidën .

Miqtë reaguan shpejt dhe barazuan në minutën e 63-të me anë të Fezos, por Partizani tregoi forcë karakteri dhe reagoi menjëherë. Në minutën e 75-të, Erald Rrenga riktheu avantazhin për “Demat e Kuq” me një goditje të saktë me kokë pas një asisti perfekt nga Ersi Qamili.

Në minutat e mbetura, Partizani pati edhe dy mundësi të pastra me Abdou Sarjon për të thelluar rezultatin, por fitorja 2-1 vulosi një tjetër performancë bindëse të të kuqve.

Pas këtij suksesi, Partizani U19 ngjitet në kuotën e 14 pikëve me 4 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, me një golavarazh 11–6.

Në javën e ardhshme, skuadra e kuqe do të udhëtojë drejt Vorës për të kërkuar një tjetër fitore dhe për të vazhduar serinë pozitive.