Partizani U17 në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë pas fitores bindëse ndaj Dinamo City
Partizani U17 ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Dinamo City, në takimin çerekfinal të zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Ndeshja u luajt në kushte të ftohta atmosferike, por kjo nuk ndikoi aspak në ritmin, dëshirën dhe këmbënguljen e skuadrës së drejtuar nga trajneri Algert Hurdha, e cila e nisi takimin me intensitet të lartë dhe dominim që në minutat e para.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 18-të, pas një goditjeje këndi, ku Nikola Hykollari u shkëput saktë në zonë dhe me një goditje të fortë me kokë zhbllokoi rezultatin. Partizani vijoi të ushtrojë presion dhe në minutat shtesë të pjesës së parë fitoi një penallti, të cilën Samed Lushaku e shndërroi saktë në gol, duke çuar shifrat në 2-0 në mbyllje të fraksionit të parë.
Pjesa e dytë u administrua me qetësi nga skuadra e kuqe, e cila nuk hoqi dorë nga loja sulmuese. Në minutën e 47-të, kapiteni Odisa Gjati realizoi golin e tretë pas një shpërthimi individual, duke depërtuar në mbrojtjen kundërshtare, shmangur portierin dhe vulosur përfundimisht rezultatin 3-0.
Një sukses i merituar për Partizanin U17, që konfirmon formën dhe seriozitetin e skuadrës në këtë kompeticion. Në fundjavën e ardhshme do të zhvillohen takimet gjysmëfinale, ku objektivi i radhës do të jetë sigurimi i një vendi në finalen e madhe të muajit maj.



















