Partizani U16 triumfon ndaj Vllaznisë dhe vazhdon ecurinë perfekte

Partizani U16 triumfon ndaj Vllaznisë dhe vazhdon ecurinë perfekte

Të kuqtë e Algert Hurdhës nuk ndalen as në javën e 17-të, duke mposhtur një rival direkt për titullin kampion, Vllazninë, me rezultatin spektakolar 3-2.

Takimi, i zhvilluar nën dritën e prozhektorëve dhe një atmosferë festive, dhuroi emocione të forta dhe gola. Pjesa e parë nisi menjëherë me një gol, teksa në minutën e 13-të, Alban Hitaj, i asistuar në mënyrë perfekte nga Odisea Gjati, zhbllokoi rezultatin, duke ndezur tribunat.

Reagimi i Vllaznisë ishte i menjëhershëm, duke fituar një 11-metërsh në minutën e 28-të, por Vuksani shpërdoroi këtë mundësi të artë. Gjithsesi, shkodranët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 36-të arritën të barazonin me anë të Halilit, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, Vllaznia nisi furishëm dhe vetëm pas një minute lojë, Kurtulaj i dha avantazhin skuadrës mike. Megjithatë, të kuqtë treguan karakterin e një skuadre kampione, duke u rikthyer me autoritet në lojë. Në minutën e 56-të, një goditje dënimi u shfrytëzua në mënyrë perfekte nga Etien Gjergji, i cili e çoi topin në rrjetë, duke rikthyer barazpeshën 2-2.

Kulmi i spektaklit erdhi në minutën e 70-të, kur Odisea Gjati realizoi një perlë të vërtetë, duke dërguar topin në trekëndëshin e portierit shkodran dhe ngritur në delir të gjithë të pranishmit në “Arenën e Demave”.

Me këtë fitore, Partizani U16 regjistron plot 17 fitore në po aq ndeshje, duke kryesuar kampionatin me 51 pikë të plota dhe një golavarazh mbresëlënës 64-8. Skuadra e drejtuar nga Algert Hurdha vazhdon të dëshmojë superioritetin e saj dhe synon të mbyllë e fazës së dytë në mënyrë perfekte.