Partizani U15 në 1/8-at e IBERCUP Cascais, përballë Sporting Lisbonës 🔥
Partizani U15 konfirmon formën shumë të mirë në turneun ndërkombëtar IBERCUP Cascais, duke siguruar me meritë kualifikimin për në raundin e 1/8-ave pas një faze grupesh të suksesshme.
Skuadra e kuqe, e drejtuar nga trajneri Julian Kaça, e nisi rrugëtimin në mënyrë spektakolare, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Academic Alcoitão. Protagonist në këtë sfidë ishte Karabushi me dopietë, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Hykollari, Avdylaj, Mesiti dhe Elqeni.
Në përballjen e dytë, të kuqtë vijuan me të njëjtin ritëm, duke mposhtur 3-1 ekipin Central 32. Edhe në këtë takim spikati Hykollari me dy gola, ndërsa Karabushi shtoi një tjetër realizim, duke vulosur një tjetër fitore të rëndësishme.
Ndeshja e tretë përballë CCDBA u mbyll në barazim 1-1, në një sfidë ku Partizani ishte shumë pranë fitores, por u ndëshkua në minutat e fundit. Golin për të kuqtë e realizoi sërish Hykollari, i cili e mbylli fazën e grupeve si një nga lojtarët më në formë me 4 gola të shënuar.
Me dy fitore dhe një barazim, Partizani U15 kalon me meritë në fazën me eliminim direkt, duke treguar cilësi, karakter dhe potencial të madh në një turne ku marrin pjesë akademi nga e gjithë bota.
Sfida e radhës për skuadrën tonë do të zhvillohet sonte në orën 19:50, ku Partizani do të përballet me një nga akademitë më të njohura në Europë, Sporting Lisbonë , në një test të vërtetë për potencialin e të rinjve të kuq, që synojnë të vijojnë ecurinë pozitive dhe të avancojnë më tej në turne duke mbajtur lart emrin e Akademisë Partizani në arenën ndërkombëtare .



















