Partizani U-19 rikthehet në krye, përmbysje spektakolare ndaj Skënderbeut

Partizani U-19 rikthehet në krye, përmbysje spektakolare ndaj Skënderbeut

 

Java e 22-të e kampionatit të 19-vjeçarëve solli një përballje të fortë mes dy rivalëve për titull, Skënderbeut dhe Partizanit. Korçarët hynë në këtë sfidë si kryesues të kampionatit dhe e mbyllën pjesën e parë në avantazh, falë golit të Xhixhos në minutën e 25-të.

Megjithatë, në fraksionin e dytë, skuadra e kuqe reagoi fuqishëm pas një “shkundjeje” të bërë në dhomat e zhveshjes nga trajneri Fatjon Muhameti. Vetëm pesë minuta pas rifillimit të lojës, Nebi Qokthi barazoi shifrat pas një lëvizjeje të shkëlqyer, duke dalë i vetëm përballë portierit të Skënderbeut. Ky gol rriti entuziazmin te Partizani, që vijoi me sulme të pandalshme.

Në minutën e 55-të, Erald Rrenga fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Nebi Qokthi, duke përmbysur rezultatin dhe duke konfirmuar karakterin e fortë të të kuqve. Pavarësisht avantazhit minimal, Partizani kontrolloi lojën deri në minutën e 90-të, kur Tedi Malaj dha një asist perfekt për Kazeem, i cili vulosi fitoren me rezultatin 3-1.

Me këtë triumf, Partizani U-19 rikthehet në krye të renditjes me 26 pikë, dy më shumë se Skënderbeu. Tashmë, skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti ka përpara katër finale vendimtare: kundër Bylisit në shtëpi, Vllaznisë në Shkodër, Apolonisë në shtëpi dhe për ta mbyllur ndaj Skënderbeut në Korçë.