Partizani në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë !

Partizani siguron një fitore me shumë  mund dhe vlerë ndaj Laçit për ndeshjen e kthimit në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Rezultati i takimit të parë kishte lënë gjithçka të hapur, pasi ishte mbyllur me një barazim pa gola. Në këtë takim të kthimit , drejtimin e skuadrës e kishte Drejtori Sportiv, Arbër Abilaliaj.

Pjesa e parë nisi mirë për të kuqtë, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 18-të me anë të bjellorusit Dimitri Padstrelov. Megjithatë, në minutën e 41-të, Sembene u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë.

Dhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Bibo barazoi shifrat për miqtë. Në minutat e mbetura, Laçi kërkoi golin e avantazhit, por të kuqtë u mbrojtën me disiplinë. Kur të gjithë po mendonin për kohën shtesë, Partizani arriti të shënoi një gol vendimtar në një kundërsulm të shpejtë. Gjergji Kote asistoi në mënyrë perfekte për Albers Kekon, i cili me një goditje potente dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën e merituar. Takimi përfundoi me rezultatin 2-1, duke i siguruar Partizanit një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kundërshtari i radhës do të përcaktohet me short .