Partizani bind dhe marshon drejt çerekfinales së Kupës
Partizani është kualifikuar në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë kanë siguruar një vend mes 8 skuadrave më të mira të kompeticionit falë një fitoreje të pastër 3–0 ndaj Burrelit.
Në stadiumin “Arena e Demave”, skuadra e drejtuar nga trajneri Oltjon Kërnaja dominoi takimin përgjatë gjithë 90 minutave, duke kontrolluar lojën dhe ritmin e ndeshjes.
Avantazhi për Partizanin erdhi në minutën e 19-të, kur Human realizoi një gol spektakolar nga distanca. Mesfushori nga Afrika e Jugut lëshoi një goditje të fuqishme, e cila u ndal vetëm në rrjetë, duke mposhtur portierin mik. Në minutën e 45-të ishte radha e sulmuesit Contreras, i cili dyfishoi rezultatin dhe mbylli pjesën e parë në favor të të kuqve, 2–0.
Edhe fraksioni i dytë i lojës foli për Partizanin, që vijoi të ishte skuadra më kërkuese dhe më dominuese në fushë. Pesë minuta përpara përfundimit të takimit, Skuka vulosi fitoren duke shënuar golin e tretë për vendasit.
Në përfundim, Partizani triumfon 3–0 dhe vijon rrugëtimin në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend, teksa pret tashmë të mësojë edhe kundërshtarin e radhës në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. 🔴⚽



















