Partizani B triumfon ndaj Shirokës në transfertë, Taipi vendos në minutat e fundit
Partizani B ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Shirokës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1. Në këtë takim, skuadrës së drejtuar nga Renaldo Kalari iu bashkuan edhe lojtarët e ekipit të parë, Andi Janjeva dhe Gjelbrim Taipi.
Ndeshja nisi me dominimin e të kuqve, të cilët administruan lojën dhe krijuan disa raste të mira shënimi në pjesën e parë. Megjithatë, fati nuk ishte në anën e tonë, pasi dy gola në fundin e pjesës së parë u anuluan për pozicion jashtë loje. Si rezultat, 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura.
Edhe në pjesën e dytë, Partizani B vijoi të kontrollonte lojën dhe të sulmonte portën e vendasve. Goli i fitores erdhi në minutën e fundit të takimit, kur një goditje dënimi e ekzekutuar nga Gjelbrim Taipi pranë këndores surprizoi mbrojtjen dhe portierin e Shirokës, duke dërguar topin në rrjetë.
Kjo fitore është shumë e rëndësishme për të kuqtë, të cilët garojnë për ngjitjen në Kategorinë e Dytë. Pas kësaj sfide, Partizani B kryeson renditjen me 17 pikë. Në javën e ardhshme, të kuqtë do të presin në shtëpi ekipin e UET FC.