Partizani B i pathyeshëm – Fitorja e tretë radhazi me spektakël në “Arenën e Demave”

🔴 Partizani B i pathyeshëm – Fitorja e tretë radhazi me spektakël në “Arenën e Demave”‎

“Arena e Demave” mirëpriti sfidën e javës së 3-të të Kategorisë së Dytë mes Partizanit B dhe KF Devollit, një përballje ku skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja zhvilloi një ndeshje për t’u admiruar me ritëm, qartësi dhe dominim të plotë që nga minuta e parë.

Demat e kuq vendosën presion të vazhdueshëm, duke e mbajtur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij për pjesën më të madhe të takimit dhe duke kërkuar golin në çdo mënyrë.

Goli erdhi në minutën e 27-të, pas një aksioni model të Marjus Kolës, i cili e nisi dhe e përfundoi vetë aksionin me gol, pas asistimit të Denis Ballës, duke ndezur atmosferën .

Vetëm 16 minuta më vonë, në të 43-tën, rolet u ndërruan: Kola asistoi dhe Balla e dërgoi topin në rrjetë për herë të dytë, duke e çuar rezultatin në 2–0.

Megjithatë, fundi i pjesës së parë solli një moment tensioni, me Orest Rifan që u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.

Edhe pse në inferioritet numerik, fraksioni i dytë foli sërish vetëm për të kuqtë. Në minutën e 54-t, pas një goditjeje këndi, senegalezi Amdy Diallo fitoi duelin ajror dhe përfitoi nga një top i mbetur në zonë, duke shënuar golin e tretë.

Spektakli ofensiv vazhdoi në minutën e 71-të, kur Rabion Goga, pas një asistimi elegant nga Marselo Gjuzi, realizoi golin e katërt me një goditje të saktë brenda zonës.

 

Pesëshja e kuqe u plotësua në minutën e 85-të, me kapitenin Fernando Ndrejaj që vulosi fitoren me një goditje plot klas, duke vendosur rezultatin përfundimtar 5–0.

 

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Partizanin B, që ngjitet në vendin e parë me 9 pikë të plota, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës.

Sfida e radhës do të zhvillohet në transfertë ndaj KF Maliqit.