Partizani B – Kukësi 2:2 (Test miqësor)
Në një mot të ftohtë, por me intensitet të lartë loje, Partizani B zhvilloi një takim miqësor ndaj Kukësit në Arenën e Demave, në prag të startit të fazës së dytë të kampionatit.
⏱️ Pjesa e parë – Formacioni startues
Nën drejtimin e trajnerit Ergys Luga, të kuqtë e nisën takimin me këtë formacion:
Lenja – Bakalli, Doçi, Topalli, Kokomani – Petritaj, Hidri – Ndrejaj (K), H. Balla, Hasanas – Igancio
Fillimi i takimit nuk ishte pozitiv për Partizanin B, pasi Kukësi përfitoi nga momentet e para duke shënuar dy gola të shpejtë. Reagimi i skuadrës së kuqe ishte i menjëhershëm, me rritje të presionit ofensiv, çka solli edhe penalltinë e fituar nga Herdi Balla, e kthyer në gol nga kapiteni Fernando Ndrejaj.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2.
🔁 Pjesa e dytë – Aktivizimet dhe ndryshimet
Në fraksionin e dytë, stafi teknik aktivizoi gradualisht lojtarët e mëposhtëm:
Allmuca, Aslamablek, Bakalli, Carçani, Gjuzi, Bojaxhiu, Bocaj, Denis Balla, Gibbo, Islamaj, Shaqiri, Goga, Qokthi, Mandoo, Gjeci
Edhe pjesa e dytë u zhvillua me të njëjtin marsh, me Partizanin B që kërkonte golin në çdo mënyrë. Këmbëngulja u shpërblye 6 minuta nga fundi i takimit, kur erdhi edhe goli i barazimit. Pas vendosjes së barazpeshës, të kuqtë tentuan edhe golin e përmbysjes, por pa sukses.
Takimi u mbyll në barazim 2-2, një test miqësor i vlefshëm në kuadër të përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit, ku Partizani B do të përballet me Eagle FA në fillim të muajit shkurt.
🎙️ Intervista e trajnerit Ergys Luga pas ndeshjes :
Profesor, si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës në këtë test të parë miqësor, në prag të nisjes së fazës së dytë të kampionatit?
“Rezultatin e lashë në plan të dytë, për të qenë i sinqertë. Ajo që më vjen mirë është reagimi i skuadrës pas disavantazhit prej dy golash, përballë një kundërshtari që militon një divizion më lart se ne.
Ideja kryesore e këtij testi ishte të shihnim gjendjen e skuadrës pas rikthimit nga pushimet, por edhe të vlerësonim lojtarët që kanë ardhur në provë. Nga kjo pikëpamje, testin e konsideroj pozitiv.
Do të vazhdojmë punën me ide të qarta. Kemi më pak se një muaj kohë deri te ndeshja e parë e kampionatit dhe skuadra do të përgatitet me seriozitet dhe ambicie për objektivin tonë madhor. Duhet të jemi gati për një kampionat me konkurrencë ekstreme që na pret përpara.”



















