MIQËSORE | PARTIZANI – DINAMO CITY 1:0

Partizani mposht Dinamo City në testin e dytë miqësor

Partizani ka mbyllur me sukses edhe miqësoren e dytë në Ohër, duke mposhtur Dinamo City me rezultatin 1-0. Ndeshja u zhvillua në kushte të mira atmosferike, në stadiumin “Biljanini Izvori”.

Pjesa e parë ishte e luftuar, me një Partizan solid që kërkonte çdo top dhe tregoi intensitet të lartë në çdo repart. Të besuarit e Skënder Gegës krijuan tre raste të pastra për shënim, por pjesa e parë u mbyll pa gola.

Fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm të lartë, ndërsa Dinamo pati mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh, kur fitoi një penallti. Megjithatë, tentativa nga pika e bardhë përfundoi jashtë kuadratit të Pano Qirkos.

Goli i vetëm i ndeshjes do të vinte si rezultat i presingut të lartë të kuqve në minutën e 69′ . Albers Keko përfitoi nga një gabim në mbrojtjen kundërshtare, fitoi topin brenda zonës dhe shënoi për 1-0.

Në minutat në vijim, të dyja skuadrat kryen shumë zëvendësime duke freskuar repartet. Dinamo kërkoi me ngulm barazimin, por Partizani u tregua i kujdesshëm dhe solid në prapavijë, duke ruajtur avantazhin deri në fund.

 

Kjo ishte fitorja e dytë miqësore për të kuqtë, pas suksesit 3-0 ndaj Rabotnickit. Tashmë skuadra do të vijojë përgatitjet me fokusin e plotë tek sfida e parë zyrtare në Conference League, që do të luhet më 10 korrik në Estoni ndaj Nõmme Kalju.