Humbja me Elbasanin –
Abilaliaj: Eshtë një humbje që na djeg duke patur parasysh mënyrën se si u zhvillua pjesa e parë e lojës. Më pas situatat dhe episodet mund të themi që ishin kundër ekipit tonë dhe që determinuan rezultatin e asaj ndeshje. Ne ishim përgatitur për të bërë një rezultat të mirë, gjithsesi e them përsëri jam i kënaqur me progresin që ka bërë ekipi në faza të caktuara të lojës. Patjetër kanë shumë punë për të bërë, por ai është një kapitull i mbyllur dhe jemi të fokusuar te ndeshja e radhës.
Një tjetër ndeshje e vështirë me Vllazninë –
Abilaliaj: Mendoj që në kategorinë superiore të gjitha ndeshjet janë të vështira. Të gjitha ndeshjet kanë historinë e vet, episodet e veta. Përballë kemi një kundërshtar i cili është në një situatë komode, lufton për objektivat e veta. Eshtë një ekip i cili ka patur qëndrueshmëri në këtë moment të sezonit. Gjithsesi ne i dimë shumë mirë cilësitë tona dhe ekipit që drejtojmë, kështu që jam shumë i bindur se kudo që të luajmë do të shkojmë për të marrë maksimumin.
Kalendari i ngjeshur –
Abilaliaj: Po kalojmë një tur force duke patur parasysh edhe të gjitha vështirësitë që kanë ndodhur në klub, me ndryshimin e trajnerit, ndryshimin e filozofisë së lojës. Janë shumë gjëra të cilat duan kohën e vet për tu automatizuar. Fakti që luajmë jasht kaq shumë ndeshje, luajmë çdo tre ditë, duhet të udhëtojmë përsëri edhe nga ana mentale është goxha sforco. Giithsesi jemi në një situatë që në çdo ndeshje shkojmë për të marrë maksimumin kudo që të luajmë ndaj kujdo që luajmë.
Rrezikon Partizani vendin në “Final 4” –
Abilaliaj: Të them të drejtën nuk e kemi menduar asnjëherë krizën sepse ne e shikojmë gotën gjithnjë gjysëm plot duke patur parasysh performancën dhe mundësitë që ka ekipi mund të shkojë akoma më lart. “Final 4” nuk e kemi diskutuar asnjëherë , nuk duam ta diskutojmë panvarësisht se si rrodhën ngjarjet në një ndeshje teke në Elbasan. Jam shumë i bindur duke patur parasysh edhe mënyrën se si punojnë këta djem, kualitetin që ka gjithsecili prej tyre. Eshtë një moment siç e kanë patur të gjitha skuadrat e tjera, është një moment për tu kaluar, një moment që na bën edhe më të fortë bashkë me njëri-tjetrin për ta kaluar këtë moment “jo”.
Çfarë do të kërkoni diçka ndryshe nga skuadra nesër –
Abilaliaj: Të them të drejtën për momentin që jemi do të kërkoja më shumë vemendje duke patur parasysh në shumë situata të cilat kanë qenë situata ndoshta edhe të evitueshme ose situata të cilat lihen në interpretim të dashimirësisë apo jo të arbitrave. U kam kërkuar gjithmonë që ekipi të jetë i kujdesshëm në këtë aspekt. Edhe në ndeshjen në Elbasan në pjesën e parë ekipi kundërshtar ndoshta erdhi vetëm një herë, kështu që do të kërkoja më shumë vemendje në detajet të cilat pastaj ndryshojnë edhe rrjedhën e lojës. Uroj që në këtë rast të jemi më vigjilent të jemi më të kujdesshëm. Të gjjtha gjërat e mira që shfaqëm në ndeshjen me Elbasanin duhet ti mbajmë, ti kultivojmë dhe ti shfaqim edhe në Shkodër.