Klasikja e 19-vjeçarëve mes Partizanit dhe Vllaznisë dhuron spektakël dhe gola

Klasikja e 19-vjeçarëve mes Partizanit dhe Vllaznisë dhuroi spektakël dhe gola, me të kuqtë që arritën një fitore me përmbysje.

Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti tregoi grintë dhe luftë sportive gjatë pjesës së parë, por u ndëshkua në kohën shtesë të këtij fraksioni. Gjithsesi, ky rezultat e bëri skuadrën e kuqe edhe më të fortë, duke reaguar menjëherë në sekondat e para të pjesës së dytë.

Të kuqtë kapën në befasi mbrojtjen shkodrane, duke detyruar portierin Lujkaj të braktiste portën dhe të ndalte goditjen e Qokthit me duar jashtë zonës, çka i kushtoi daljen me karton të kuq. Nga goditja e dënimit, Ersi Qamili, me një të majtë gjysmë lartësie, mposhti portierin Gerbeti, duke ndezur festën në pankinën e të kuqve dhe te tifozët në tribuna.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, nga një goditje këndi, demat izoluan në bllok mbrojtjen shkodrane dhe shënuan golin e dytë me anë të Leon Misjes. Në minutat në vijim, Partizani menaxhoi lojën, por gjithmonë duke kërkuar golin e tretë, i cili erdhi në minutën e 79-të. Një asist perfekt nga Tedi Malaj u shfrytëzua në mënyrë mjeshtërore nga Orges Hidri, i cili, me një goditje të saktë me kokë, e dërgoi topin në rrjetën shkodrane për herë të tretë.

Me këtë rezultat përfundoi takimi i javës së 20-të, ndërsa pas kësaj fitoreje, të kuqtë ruajnë pozitat në vendin e dytë me 20 pikë, në ndjekje të kryesuesve të Skënderbeut.