Skuadra B e Partizanit, nën drejtimin e trajnerit Renaldo Kalari, vazhdon ecurinë pozitive në fazën e dytë të kampionatit, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme. Të kuqtë triumfuan me rezultatin 0-3 ndaj Klosit në javën e 10-të të Kategorisë së Tretë.
Mohand Mando zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të, duke i dhënë epërsinë Partizanit B në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të lojës, Santiago Contreras dyfishoi avantazhin në minutën e 80-të, duke realizuar golin e tij të dytë me fanellën e kuqe. Vetëm pak momente më pas, mbrojtësi i djathtë Marselo Gjuzi vulosi rezultatin në 0-3, duke shënuar gjithashtu golin e tij të dytë personal në këtë edicion.
Pas kësaj fitoreje, Partizani B ruan pozitat e kreut të renditjes me 23 pikë. Në javën e ardhshme, të kuqtë do të presin në shtëpi ekipin e Olimpik Shkodrës në një tjetër sfidë të rëndësishme për objektivin e tyre sezonal.