Fitore në sekondat e fundit , Partizani B rrëmben tre pikë të arta ndaj Tomorit!

Kategoria e Dytë | Java e Dytë
Tomori – Partizani B 0–1 (Rabjon Goga 90+’)

Partizani B vijon rrugëtimin me hapa të sigurt në Kategorinë e Dytë, duke arritur një fitore me shumë peshë në transfertën e vështirë të Beratit. Në stadiumin “Tomori”, aty ku vite më parë janë zhvilluar duele historike të ekipit të parë të kuq, këtë herë ishin djemtë e Oltion Kernajës që shkruan një tjetër faqe të bukur në historinë e klubit.

Pas suksesit bindës në javën e parë ndaj Eagle FA (5–0), të kuqtë përballë Tomorit gjetën një sfidë të fortë, me intensitet të lartë dhe dyluftime fizike nga minuta e parë deri në fund. Loja u zhvillua me ritëm të lartë, me raste për të dyja skuadrat, ndërsa mbrojtja e kuqe tregoi sërish qëndrueshmëri, duke mos lejuar asnjë rrjedhje në prapavijë.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutat shtesë ndodhi momenti i artë. Rabjon Goga, i futur në lojë në minutë e 57′ për të dhënë freski dhe energji në fazën ofensive, u gjend në vendin dhe kohën e duhur: nga një rivënie ansore Goga u çlirua në zonë, kontrolloi topin dhe me një goditje të saktë nga brenda zonës e dërgoi në rrjetë, duke vulosur fitoren në sekondat e fundit.

Festa në pankinën e kuqe ishte shpërthyese , një përqafim kolektiv që tregoi shpirtin e skuadrës, besimin dhe unitetin që karakterizon këtë grup të ri, të përbërë nga lojtarë të rritur në Akademinë e Partizanit dhe misionarë   të udhëhequr nga një staf teknik që di si t’i motivojë deri në fund.

Pas kësaj fitoreje, Partizani B ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas dy javësh të para, duke konfirmuar synimin e qartë për ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Sfida e radhës do të zhvillohet më 19 tetor, në Arenën e Demave, ku të kuqtë do të presin Devollin, në kërkim të një tjetër rezultati pozitiv .