Ecuri perfekte: të rinjtë e Partizanit sigurojnë 6 pikë ndaj Apolonisë

Arena e Demave ka pritur sot ndeshjet e javës së dytë të Kampionatit Abissnet Superiore për grupmoshat U17 dhe U19, ku të dyja skuadrat e Akademisë së Partizanit siguruan fitore ndaj Apolonisë.

U17 – Fitore e pastër 4-0

Të parët në fushë ishin 17-vjeçarët e drejtuar nga Algert Hurdha, të cilët triumfuan me shifrat 4-0. Vata zhbllokoi rezultatin në minutën e 44’, ndërsa në pjesën e dytë Allushaj (60’), Hykollari (79’) dhe Gjati (88’) vulosën suksesin e kuq.

Me 8 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar në dy ndeshjet e para, Partizani U17 renditet në vendin e dytë me pikë të plota. Sfida e radhës do të jetë përballë Shkëndijës së Tiranës fundjavën e ardhshme.

U19 – Sukses 2-1 ndaj Apolonisë

Menjëherë pas sfidës së 17-vjeçarëve në fushë zbritën 19-vjeçarët e Fatjon Muhametit, të cilët regjistruan fitoren e dytë radhazi me rezultatin 2-1.

Franci Hysalliu realizoi golin e parë në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa Elson Himallari, 16 vjeçari  dyfishoi shifrat në të 54’. Apolonia ngushtoi diferencën në minutën e 83’ me penallti të ekzekutuar nga Cjapi, por të kuqtë menaxhuan mirë minutat e mbetura duke marrë një fitore të merituar.

Javën e tretë, Partizani U19 do të udhëtojë drejt Elbasanit për të vijuar ecurinë pozitive.