Akademia Partizani – U14 & U15 vijojnë serinë e fitoreve


Akademia Partizani – U14 & U15 vijojnë serinë e fitoreve 

Në Arenën e Demave, fundjava nisi me ndeshjen e 16-vjeçarëve të trajnerit Ermal Serjani, të cilët mposhtën Internacionalin me rezultatin 4–1.

Takimi u zhbllokua shpejt nga Lavid Dani (6’), ndërsa tre minuta më pas Dervishi barazoi për miqtë. Edhe pas përpjekjeve të shumta të të kuqve, pjesa e parë u mbyll në shifrat 1–1. Në fraksionin e dytë djemtë e Serjanit dominuan plotësisht: Briseld Mesiti riktheu avantazhin, Orest Buçka shënoi golin e tretë, ndërsa Omar Gucija vulosi rezultatin përfundimtar. Tashmë, Partizani U16 përgatitet për një transfertë të vështirë ndaj Shënkollit.

Më pas në fushë zbritën 15-vjeçarët e Julian Kaçes, që kishin përballë Skënderbeun. Të kuqtë diktuan lojën dhe falë dopietës së Brajan Hykollarit (24’, 39’) siguruan fitoren 2–1. Korçarët ngushtuan diferencën në minutat shtesë, por pa ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Ky ishte suksesi i dytë radhazi për Partizanin U15, që javën e ardhshme do të përballet me Shënkollin për kreun e renditjes.