Akademia Partizani vijon të konfirmohet si një nga më konkurrueset në vend, duke ruajtur ritmin pozitiv në dy kompeticionet madhore për grupmoshat U17 dhe U19. Pas 17-vjeçarëve që siguruan më herët një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, radhën e kishin të besuarit e trajnerit Fatjon Muhameti, Partizani U19, të cilët pas paraqitjeve mjaft pozitive në kampionat, regjistruan një tjetër sukses bindës edhe në Kupë.
Të kuqtë triumfuan me shifrat 5-1 ndaj Skënderbeut, në takimin çerekfinal të zhvilluar të dielën, më 11 janar, në ambientet e kompleksit sportiv të Kombëtares, “Shtëpia e Futbollit”. Një përballje ku të dyja skuadrat e kishin ende të freskët duelin e fundit të zhvilluar në “Arenën e Demave”.
Nën drejtimin e Fatjon Muhametit, Partizani e nisi ndeshjen aty ku e kishte lënë: me dëshirë për fitore, frymë grupi dhe mbi të gjitha karakter.
Të kuqtë u rreshtuan në fushë me këtë formacion: Darjus Zadeja në portë; në prapavijë Frensi Mali, Amdin Diallo, Uesli Arapi, Ersi Qamili; mesfushë me Orgest Hidri, Neid Banushi, Gridi Çupi; ndërsa në sulm Nebi Qokthi, Sarjo Abdu dhe Erald Rrenga.
Takimi nisi me intensitet të lartë nga të dyja skuadrat, me manovra sulmuese nga krahët dhe kundërsulme të shpejta. Të kuqtë arritën të gjenin golin në një moment mjaft të rëndësishëm të ndeshjes, në minutën e 29-të, kur Neid Banushi shërbeu saktë për Sarjo Abdu. Ky i fundit, falë shpërthimit dhe dinamikës së tij, la pas mbrojtësin kundërshtar, dribloi portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë me qetësi.
Një gol që i dha më shumë besim Partizanit, i cili vetëm pesë minuta më pas dyfishoi shifrat me Erald Rrengën, i saktë përballë portierit Demirshah, pas një gabimi në mbrojtjen korçare.
Edhe pas golit të dytë, të kuqtë vijuan me të njëjtin ritëm, por në minutat e fundit të pjesës së parë, nga një iniciativë personale, Chukwunere shënoi për Skënderbeun, duke ngushtuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-1 për Partizanin.
Fraksioni i dytë i lojës konfirmoi qartë se Partizani e kërkonte me çdo kusht këtë fitore. Goli i pësuar nuk ndikoi aspak në moralin e skuadrës, e cila u shfaq edhe më kërkuese që në minutat e para.
Në minutën e 53-të, Sarjo Abdu u bë sërish protagonist, këtë herë si asistues për Ersi Qamilin, i cili me portën e boshatisur realizoi golin e tretë.
Me lojën nën kontroll, trajneri Fatjon Muhameti aktivizoi edhe disa elementë të tjerë, duke i dhënë freski skuadrës dhe minuta lojtarëve si Dion Vata, Elson Himallari, Xhomi Shega, Orest Nela dhe Luciano Myrto. Edhe pas ndryshimeve, Partizani ruajti të njëjtin ritëm dhe vazhdoi manovrat sulmuese.
Në minutën e 68-të, nga një aksion model, Erald Rrenga, i asistuar nga Frensi Mali, shënoi golin e katërt për Partizanin dhe të dytin personal në këtë takim. Ndërsa 10 minuta më vonë, pas një këmbënguljeje individuale, Xhomi Shega, i sapo futur në lojë, vulosi fitoren me golin e pestë, duke firmosur rezultatin përfundimtar 5-1, identik me atë të arritur ndaj Skënderbeut edhe në kampionat.
Me këtë fitore bindëse, Partizani U19 siguron një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Dinamo City, më 17 janar, ora 13:00, në “Shtëpinë e Futbollit”.



















