U-17 | Fitore me shumë vlera ndaj Vorës
Skuadra U-17 e Partizanit ka arritur një fitore të rëndësishme dhe me shumë mund në javën e 24-t të kampionatit, duke mposhtur Vorën në transfertë me rezultatin spektakolar 3-4.
Ndeshja nisi në mënyrën jo të mirë për të besuarit e trajnerit Aldo Duro, të cilët u ndëshkuan që në minutën e 12-të. Megjithatë, reagimi i të kuqve nuk vonoi: në minutën e 25-të, Ergit Hyka riktheu baraspeshën me një goditje të saktë.
Partizani vazhdoi të kërkonte me ngulm golin e avantazhit dhe u shpërblye me dy penallti të fituara në pjesën e parë. Rei Zekaj u tregua i saktë në minutën e 32-të, ndërsa Musa Lleshaj e thelloi avantazhin në të 45-tën, duke e çuar rezultatin në 1-3 në fundin e pjesës së parë.
Fraksioni i dytë nisi me vendasit më kërkues, të cilët ngushtuan shifrat në minutën e 56-të. Por vetëm shtatë minuta më pas, Musa Lleshaj shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Partizanin, duke i dhënë sërish qetësi ekipit.
Emocionet nuk munguan as në fund, pasi Vora realizoi edhe një gol tjetër në minutën e 87-të, duke e çuar rezultatin në 3-4. Gjithsesi, të kuqtë menaxhuan mirë minutat e mbetura dhe siguruan një fitore me shumë vlera në prag të dy finaleve të fundit të sezonit: fillimisht ndaj Skënderbeut dhe më pas në “Skënder Halili” përballë rivalëve të Tiranës.