🤝MIQESORE
FT | FK Rabotnicki 0 – 3 FK Partizani
Partizani ka zhvilluar sot miqësoren e dytë të planifikuar në kuadër të fazës përgatitore verore, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ekipit maqedonas Rabotniçki. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e Strugës dhe për të kuqtë ishte testi i parë në fushë, pasi miqësorja e mëparshme ndaj Ballkanit u anulua për shkak të kushteve të pafavorshme klimaterike.
Skuadra e trajnerit Skënder Gega u paraqit me intensitet dhe qartësi në lojë, duke e zhbllokuar rezultatin që në minutën e 18-të me një penallti të realizuar nga Keko. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në të 24-ën, Skuka dyfishoi shifrat .
Pjesa e parë do të mbyllej me epërsinë 2-0 për Partizanin, që kishte edhe dy raste të tjera të pastra për shënim.
Në fraksionin e dytë, përveç kontrollit të lojës, të kuqtë krijuan sërish disa mundësi për të çuar shifrat më thellë, ndërsa trajneri Gega aktivizoi edhe prurjet e reja si Martinez, Garcia dhe Iskenderi, të cilët u përshtatën mirë me ritmin e skuadrës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu edhe talentëve të akademisë – Qokthi , Malaj, Rifa, Himallari dhe Vata – të cilët u përfshinë gjatë pjesës së dytë, duke dhënë sinjale pozitive në ndërlidhje me lojtarët e parë.